SHBA apel amerikanëve në Shqipëri: Shmangni tubimet elektorale, rrezik për dhunë

Ambasada amerikane në Tiranë, ka lëshuar ditën e sotme një komunikatë në faqen zyrtare të saj, përkatësisht në sektorin e masazheve për sigurinë ndaj shtetasve amerikanë që jetojne në Shqipëri.
Ambasada i paralajmëron shtetasit amerikanë se fushata zgjedhore tashmë ka filluar në Shqipëri dhe se shtetasit amerikanë duhet të shmangin tubimet politike për të mirën e sigurisë së tyre.
“Shtetasve amerikanë, të cilët udhëtojnë apo jetojnë në Shqipëri, u kujtojmë se fushata elektorale ka filluar për zgjedhjet e 23 qershorit.
Tubimet e njerëzve do të rriten së tepërmi gjatë këtyre ditëve, si një pjesë normale e procesit të demokracisë. Qytetarët amerikanë duhet të jenë vigjilentë dhe të ndërgjegjshëm për vendin ku qëndrojnë, sigurinë personale, të shmangin tubimet që kanë lidhje me fushatën për zgjedhjet e 23 qershorit.
Gjithashtu, duhet të shmanget pjesëmarrja në ndonjë protestë qoftë në Tiranë apo në ndonjë vend tjetër”, shkruan komunikata.
Më tej, ambasada paralajmëron shtetasit amerikanë se çdo tubim në Shqipëri ka premisa që të kthehet në pëprlasje fizike apo të degjenerojë në dhunë.
“Të gjitha tubimet që do të mbahen gjatë fushatës janë një rrezik potencial për përplasje dhe dhunë. Ju duhet t’i shmangni medoemos këto tubime të çdo shkalle.
Tubimet me shumë njerëz mund të bllokojnë të gjitha rrugët e qytetit, ndaj duhet patur kujdes këto ditë”, vijon më tej komunikata.
Më pas ambasada i fton qytetarët amerikanë të jenë të vëmendshëm në ndjekjen e mediave për të mësuar situatën në vend, si dhe të praktikohen për sigurinë personale.
“Qytetarët amerikanë duhet të ndjekin me vëmendje mediat dhe njoftimet qeveritare lidhur me axhendën e tubimeve në vend. Ne ju inkurajojmë që të praktikoheni për sigurinë tuaj.
Mbani mend të gjitha hapat që duhet të ndiqni dhe këshillat tona”, vijon komunikata. Më tej ambasada njofton qytetarët amerikanë që planifikojnë të udhëtojnë në Shqipëri të vizitojnë faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit për të marrë më shumë informacion
SHEKULLI
Add new comment