Servet Pëllumbi në krah të Alfred Pezës në fushatë: Nëse s’ndodh një rotacion, nuk ka demokraci

Profesori i socialistëve flet për një fitore të sigurt, por ka edhe mesazhe për të majtët, për të mos lejuar që euforia dhe pakujdesia të dëmtojë rezultatin
Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi ka qenë i pranishëm në Peqin, në krah të kandidatit socialist, Alfred Peza.
Kjo ka qenë dalja e parë e tij në këtë fushatë. Duke folur përpara të pranishmëve, Pëllumbi tha se Peqini do nderojë veten dhe Alfredin.
“Nëse nuk ndodh një rotacion, nuk ka demokraci. Pra, rotacioni është përgjegjësia e popullit një herë në katër vjet për pushtetin e vet. Prandaj, në këtë kuptim, demokraci pa rotacion nuk ka. Çfarë ka ndodhur realisht tek ne? Tek ne ka ndodhur që janë bërë marifete nga më të ndryshme për të qëndruar një garniturë e pushteti, për të qëndruar edhe më tej. Vetë praktika provon që kur ndodhin procese të tilla, kur ndodhin manipulime të tilla, në radhë të parë e paguan populli. Edhe populli pavarësisht nëse e thotë ose jo, kur vete tek kutia e votimit, bën zgjedhjen më të mirë, dhe kjo e nderon popullin,” tha Pëllumbi para të pranishmëve.
Pëllumbi tha se kjo qeveri nuk po jep llogari për tetë vite të qeverisjes.
“Premtove që do të bësh të vendin të pastër nga korrupsioni. Urdhëro, ku je me korrupsionin. Që nga maja e piramidës deri poshtë. Premtove që të gjitha ato familje që mbahen me ndihmë ekonomike duhet të mbahen me 2 dollarë në ditë me ndihmë ekonomike. Që s’është nga më të mirat me vendet e tjera, por shkon aty afër. Realisht nuk jepet as 30 cent, më pak se 1/3. U premtua se do të ulen krimet. Por, sipas agjencive të huaja që merren me studime rezulton se ne kemi 4 vrasje për 100 mijë banorë. Është shifra më e lartë në rajon dhe Europë. Pra as kjo nuk është bërë. Gjithashtu u premtua dhe çfarë nuk u premtua në drejtim të fshatit. Asgjë nuk është bërë. Bilanci i qeverisë dhe i palës që kërkon një mandat të tretë është negativ. Ato pak gjëra që janë bërë janë bërë me taksat e popullit. Prandaj nuk mund të mburresh që ke shtruar rrugë. Sepse po të ishte kështu ne do të ecnim vetëm në rrugë të asfaltuara. Asnjë rrugë nuk është që të çojë normalisht në destinacion. Pra, edhe ky është një shembull tjetër që është një pushtet për kërkon t’i hedhë hi syve popullit. Jam i sigurt që kësaj here nuk do t’i hedhë më hi syve dhe populli do t’i përgjigjet popullit të tij,” tha Pëllumbi.
Profesori i socialistëve tha se një faktor që favorizon socialistët janë edhe programi i mirë dhe kandidatët e përzgjedhur.
Po ashtu ai ka theksuar se një faktor pozitiv është edhe largpamësia e PS për të krijuar një koalicion të madh me 37 parti.
Por profesori socialist u ka bërë thirrje të majtëve që të mos lejojnë euforinë që të gërryejë fitoren, duke menduar se ajo është e sigurt.
“Duhet të kemi parasysh që atë që kemi përballë ka një eksperiencë të madhe për zgjedhjet dhe sidomos për manipulimin e zgjedhjeve. Shikoni si i organizojnë mitingjet. Me detyrime. Po s’erdhe këtu do të heqim nga puna. Po s’erdhe këtu do të kesh këtë pasojë. Deri tek premtime që u thonë se do t’ju japim tezën e provimit nëse bëni deklarata që do të jepni votën. E çfarë demokracie është kjo? A e meriton një forcë politike që të vijë përsëri në pushtet. Kurrsesi jo. Pra, edhe ajo që është negative ne duhet të dimë ta kthejmë të favorshme. Nga ana tjetër, ka ndonjëherë një lloj indiferentizmi në radhët tona. Ka vota PS, po s’vajta unë do ta marri. Edhe kjo është negative, edhe kjo është e disfavorshme. E rëndësishme në këto zgjedhje është çdo vote. Prandaj, do të thosha që një nga faktorët që duket negativ që mund ta kthejmë në pozitiv është pjesëmarrja sa më e madhe në zgjedhje. Pjesëmarrja sa më e madhe në zgjedhje është faktori që ne të fitojmë. Unë besoj se pjesëmarrja në Peqin, Elbasan dhe Shqipëri do të jetë më e madhe se çdo herë tjetër,” tha Pëllumbi./ep
TEMA
Add new comment