Serveri i Tatimeve, Braho: Unë nuk jam Damir Fazlliç, opozita të lexojë Kushtetutën

Postuar në 27 Janar, 2014 15:34

Deputeti Spartak Braho ka reaguar sërish lidhur me akuzat për ndërhyrje në serverin e Tatimeve, duke u sugjeruar drejtuesve të opozitës që të lexojnë Kushtetutën e Shqipërisë dhe statusin e deputetit, pasi sipas tij kanë treguar se nuk kanë njohuri nga ligjet.
Në një deklaratë për mediat Braho shprehet se, neni tre i ligjit për statusin e deputetit i jep atij kompetenca ligjore për të kërkuar shpjegime nga organet shtetërore dhe ekonomike në rastet kur vëren se nëpunësit shkelin ligjin.
“Meqenëse janë shtuar qëllimisht kërkesat që dëshmojnë padijeninë e ligjeve, të cilat rregullojnë detyrat dhe funksionet e deputetit, të disa prej drejtuesve të Partisë Demokratike si edhe të ndonjë media që ka hyrë në rol zhurmuesi, ju sugjerojmë që të lexojnë Kushtetutën e Shqipërisë, formulën e betimit të deputetit dhe posaçërisht ligjin për statusin e deputetit”, tha z. Braho. Në nenin 3 të ligjit shkruhet se deputeti kërkon shpjegime nga organet shtetërore e ekonomike dhe ndërhyn pranë tyre për zbatimin e përpiktë të dispozitave kushtetuese dhe të akteve ligjore e nënligjore. Kur vëren se nëpunës apo punonjës të ndryshëm nuk i kryejnë detyrat apo shkelin ligjet ose aktet nënligjore, deputeti kërkon nga organet kompetente marrjen e masave përkatëse ndaj personave fajtorë. Këto organe janë të detyruara që brenda 15 ditëve të shqyrtojnë kërkesën dhe të njoftojnë deputetin për masat që kanë marrë”, është shprehur deputeti duke iu referuar dispozitave kushtetuese.
Braho ka shtuar se çdo deputet në zbatim të ligjit është i obliguar të shkelë në çdo hallkë të pushtetit, veçanërisht kur vihet në dijeni të tentativave apo veprimtarisë kriminale. Ai ka theksuar se nuk është Damir Fazlliç, njeriu të cilin Berisha e futi dhe e uli në krah të tij në mbledhjet e Komitetit Shtetëror të Sigurisë Kombëtare.
“Lus që pas kësaj të mos mbeten më në mjerimin e padijenisë së ligjit e të kuptojnë se jo vetëm Spartak Braho, por çdo deputet në zbatim të ligjit dhe funksioneve të përgjegjshme që duhet të kryejë është i obliguar të shkelë në çdo hallkë të pushtetit, veçanërisht kur vihet në dijeni të tentativave apo veprimtarisë kriminale. Unë nuk jam serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, të cilin Berisha e futi dhe e uli në krah të tij në mbledhjet e Komitetit Shtetëror të Sigurisë Kombëtare. Do ta shohim edhe këtë skandal”, ka përfunduar deputeti z. Spartak Braho.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.