Sequi takon Ramën: Fryma e kompromisit do të jetë një element i ri në politikën shqiptare

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi është takuar sot në selinë rozë me kryesocialistin Edi Rama. Në një prononcim për mediat pas takimit, Sequi ka theksuar se kanë diskutuar me kryesocialistin Rama për axhendën europiane të Shqipërisë duke marrë sigurinë që integrimi do të jetë axhendë kryesore për qeverinë e re.
“Doja të dëshiroja të uroja zotin Rama, Partinë Socialiste dhe koalicionin për fitoren. Por dua të uroj edhe popullin shqiptar. Ne diskutuam për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe sfidat që ka Shqipëria përpara. Ne diskutuam se axhenda europiane është në krye të axhendës së qeverisë së re. Unë i theksova zotit Rama mbështetjen e Bashkimit Europian në mënyrë që të vihet në zbatim kjo axhendë. Diskutuam faktin që qeveria e re duhet të punojë fort për të vënë në zbatim këtë axhendë dhe këto nevoja, edhe mënyrën se si do të ndodhë kjo” tha Sequi.
Ambasadori është ndalur në deklaratat e kryesocialistit Rama se tashmë në Shqipërio do të donimojë gjithpërfshirja dhe jo përjashtimi. “Duket nga këto zgjedhje se fryma e kompromisit do të jetë një element i ri në politikën shqiptare. Shpresojmë që procesi zgjedhor të përfundojë në mënyrën dhe në kohën e duhur. Ajo që lipset është një tranzicion i mirë pa probleme për pushtetet, që do të përqendronte përpjekjet për reformat dhe integrimin”, vlerësoi Sequi.
I pyetur nëse Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor, ambasadori Sequi se kjo do të varet nga përmbushja e kërkesave nga vendi ynë.
“Është vështirë të bëhen parashikime. Procesi i integrimit bazohet tek merita dhe nuk është hera e parë që unë e përsëris këtë. Ky proces ka rregulla të qarta dhe të njëjta për të gjitha vendet aspirante. Ato që mund të them unë janë dy gjëra: Unë kam besim të plotë që Shqipëria i ka potencialet në mënyrë që të arrihet në këtë proces në kohën e duhur. Unë shpresoj që statusi i vendit kandidat të jetë edhe arritja e parë në këtë rrugëtim dhe që sipas mendimin tim do të jetë edhe një hap motivues për Shqipërinë”, ka thënë Sequi.
SHQIP
Add new comment