Sequi takon Naçon: Reforma në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit, rruga për në BE

Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Ettore Sequi ka theksuar sërish se Shqipëria duhet të tregojë qartë një histori në luftën kundër korrupsionit. Deklarata u bë pas një takimi që Sequi zhvilloi me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço.
Ambasadori Sequi theksoi se reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit janë mjetet e duhura për të ecur përpara, në rrugën e integrimit europian. “Ne jemi tepër të qartë që reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit janë mjetet e duhura që Shqipëria të ecë përpara drejt BE-se. Theksova mbështetjen e BE për Shqipërinë në rrugën e integrimit të saj drejt BE. Sistemi i drejtësisë për ne është çështje kritike. I prezantova ministrit një paketë projektesh që ne do të financojmë prej disa milionë eurosh. Kjo është arsyeja pse ne i mbështesim në mënyrë konkrete reformat në sistemin e drejtësisë. E sigurova zotin ministër se BE është i gatshëm dhe i përkushtuar për të ndihmuar”,-u shpreh Sequi.
Ndër të tjera, ambasadori shtoi se Shqipëria duhet të tregojë një histori të fortë të hetimeve dhe luftën kundër korrupsionit, duke nënvizuar se sistemi i drejtësisë është një çështje kritike.
“Shqipëria duhet të tregojë qartë një histori të fortë në luftën kundër korrupsionit”- tha Sequi, duke shtuar se ‘nuk ka rëndësi se ndaj kujt hetohet’.
Nga ana e tij ministri Nasip Naço theksoi se po përgatitet një paketë anti-korrupsion, e cila do të ketë në fokus luftën kundër korrupsionit. Naço ftoi qytetarët të mos jenë indiferentë por të denoncojnë, duke u ndalur edhe në portalin e denoncimeve në Ministrinë e Drejtësisë.
Ai paralajmëroi reformë në të gjitha hallkat e gjyqësorit, duke thënë se nuk do të bëhet me deklarata para mediave, por me një staf të kualifikuar.
SHQIP
Add new comment