Sequi: BE ka akorduar 3 milionë euro për romët

TIRANË Avokati i Popullit, Igli Totozani, organizoi dje një tryezë të rrumbullakët për situatën e krijuar me komunitetin rom që banon në zonën e ish-Dekorit (Rruga e Kavajës). Totozani tha gjatë fjalës së tij se romët po kalojnë momente të vështira, duke theksuar se dëbimi i tyre nuk është bërë në mënyrën e duhur. “…Gjendja është mjaft shqetësuese dhe mjaft e rrezikshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve romë. Hetimet për personat që kanë ushtruar dhunë fizike apo psikologjike ndaj romëve të mbyllen dhe ata të dërgohen para gjykatës. Propozimi konkret është që 37 familjet rome që banojnë në Tiranë të marrin sa më shpejt ndihmën ekonomike. Gjithashtu kemi bërë rekomandimin për zotin Basha dhe zotin Ksera, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme e dinjitoze për qytetarët romë”,- tha ai. Ndërkohë, në tryezën e rrumbullakët morën pjesë edhe përfaqësues nga komuniteti ndërkombëtar. Ambasadori i BE-së, Etore Sequi, deklaroi dje se BE mbështet përfshirjen sociale të romëve. Sipas tij, ky komunitet duhet të ketë shanse të barabarta si gjithë të tjerët. Sequi tha se një nga 12 prioritetet e integrimit është për të drejtat e romëve, ndërsa ka nënvizuar se BE-ja i ka akorduar 3 milionë euro Shqipërisë për romët. Sequi theksoi gjithashtu se situata e romëve do të reflektohet në raport/ progresin e BE-së për Shqipërinë, që pritet të jetë gati në muajin tetor. Ai kërkoi nga institucionet shqiptare që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për gjetjen e një zgjidhjeje. “Ju e dini që një nga 12 prioritetet kyçe të cilat Shqipëria duhet t’i përmbushë për të ecur përpara drejt BE-së, ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom. Ne inkurajojmë të gjitha institucionet shqiptare që të bashkëpunojnë që të gjendet një zgjidhje si afatshkurtër dhe afatgjatë për këtë çështje. Mendoj që kemi të bëjmë me një çështje që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, të drejtat për të gjithë. E drejta është diçka që askush nuk jua merr dot. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot”,- tha ai. Të njëjtën kërkesë parashtroi dje edhe ambasadori në detyrë i OSBE-së, Robert Wilton. Ai theksoi rëndësinë që romët të regjistrohen, të marrin ndihmë ekonomike dhe të strehohen. E pranishme në takim, përfaqësuesja e OKB-së në Shqipëri, Znj. Touimi-Benjelloun theksoi se ekziston mundësia për zgjidhjen e çështjes së romëve përmes bisedimeve mes palëve. Përfaqësuesja e OKB-së kërkoi përmirësim të mirëqenies së romëve në Shqipëri
Mapo
Add new comment