Rruga e Kombit, 10 viktima nga mungesa e mbikalimeve

Postuar në 15 Shtator, 2013 08:47

Mungesa e mbi dhe nënkalimeve po shton numrin e viktimave e të plagosurve në segmentin Kukës- Morin, pjesë e autostradës së kombit.

Banorët e gjashtë fshatrave të komunës Tërthore, të cilat ndahen nga rreth 17 kilometra autostradë, pohojnë se jeta e tyre është e rrezikuar. Rruga kalon mes përmes fshatrave, duke ndarë edhe kullotat, ujërat, tokat, varrezat, shkollat etj. Mungesa e mbikalimeve, por edhe sinjalistikave të domosdoshme të rrugës ka sjellë jo pak, por në tri vite 10 të vdekur e mbi 70 të plagosur. Sipas banorëve, tetë prej viktimave janë të kësaj komune, të cilët janë përplasur nga mjete që vijnë me shpejtësi gjatë tentativës për të kaluar nga njëra anë e autostradës në tjetrën. Fadil Syla, banor i fshatit Morin, thotë se tre fëmijë të fshatit kanë humbur jetën në afërsi të shkollës dhe se banorët rrezikojnë përditë jetën nga këto mangësi të rrugës. “Autostrada nuk diskutohet se ka sjellë zhvillim dhe të mira, por nga ana tjetër, mospërfundimi i projektit me mbi e nënkalime ka sjellë pasoja të rënda dhe përditë rrezikohet jeta e banorëve. Poshtë autostradës kemi ujin e pijshëm, tokat, varrezat, kullotat etj. Është jetë njeriu që po ikën përditë, prandaj kam besim se qeveria e re dhe premtimet që na ka bërë deputeti do të mbahen dhe kjo plagë do të mbyllet. Tre fëmijë të fshatit kanë vdekur në këtë rrugë”, u shpreh Syla. Pushteti vendor dhe banorët e kanë bërë problem në instancat qendrore shqetësimin e tyre, por sipas tyre askush nuk është marrë me ta. “Është një problem shqetësues për gjashtë fshatrat e komunës sonë. Ne e kemi bërë prezentë në të gjitha instancat përgjegjëse në qendër dhe bazë, por deri tani nuk ka reagim. Çdo ditë që kalon rrezikon jetën e banorëve. Ky është problem për gjashtë fshatrat e komunës sonë. Autostrada kalon mes përmes këtyre fshatrave, ndërkohë që rruga nuk ka elementë të sigurisë”, thotë kreu i komunës Tërthore, Rrahman Dema. Jo vetëm këto mangësi në rrugë, por dhe mungesa e sinjalistikës, mospërfundimi i punimeve që herë e bën dy dhe herë katërkalimëshe aksin, është një shqetësim tjetër për banorët. Edhe elementët e sigurisë mungojnë ose janë prishur. Rrëshqitje dherash, kafshë të ngordhura, madje dhe ujë vaditës në mes të autostradës, janë burime aksidentesh, për banorët që shkelin çdo rregull të qarkullimit rrugor për të kaluar nga njëra anë e autostradës në tjetrën. Në këtë pjesë të autostradës nuk është vënë dorë për mirëmbajtjen e saj. Nga Morini deri në Kukës janë 32 ndërprerje të trafikndarëseve, që janë burim i vazhdueshëm aksidentesh.

Urat në autostradë mbeten dykalimëshe

Puna për dyfishimin e shtatë urave në segmentin Kukës-Morin, pjesë e Autostradës së Kombit, ka mbetur në vendnumëro. Askush nuk di të thotë se kur urat do të bëhen me katër kalime. Në disa prej tyre puna ecën me ritëm shumë të ngadaltë, por në tre prej tyre as që ka nisur zbatimi i projektit që i bën edhe urat me katër kalime, ashtu si autostradën. Në vendet ku punohet nuk ka asnjë tabelë, ku publikohen të dhënat e projekteve, afatet, parametrat, apo dhe shumat e financimeve. Burime pranë firmave ndërtuese bëjnë të ditur se shteti ka kryer tenderimet, por nuk ka lëvruar fondet e duhura për të zbatuar pikat e projekteve. Madje, vonesat në lëvrimin e fondeve kanë bërë që edhe materialet e ndërtimit që janë vendosur pranë këmbëve të urave, të vidhen e dëmtohen. Këto vonesa kanë sjellë edhe problem në qarkullimin normal të automjeteve. Nga një lëvizje me katër korsi, befas korsitë në ura ngushtohen në dy. Në urën më të madhe, në atë të Përbregut, janë shënuar aksidente të shumta dhe për faktin se lartësia e saj bën që sipërfaqja e urave të mbajë ngrica. Vetëm në këtë urë, në tri vitet e fundit janë shënuar mbi 15 aksidente, ku përfshihen një numër i madh automjetesh dhe për pasojë ka pasur tre të vdekur dhe shumë të plagosur.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.