Rrihet barbarisht kandidati i FRD. E shoqja: I thanë tërhiqu ose të vrasim. FRD: Policia ka përgjegjësi

Postuar në 10 Qershor, 2013 04:31

Kandidati i partisë Fryma e Re Demokratike për qarkun e Fierit, Mithat Hoxha, është rrahur me mjete të forta nga persona të paidentifikuar.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Roskovec rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme.

E shoqja e Hoxhës, Liljana, thotë se ata nuk kanë konflikt me asnjë person, ndaj ngjarja ka motive politike.

Ajo thekson se pas plagëve të marra, i shoqi ka përfunduar në spital. Sipas saj, i shoqi ka marrë kërcënime edhe më parë.

“E kanë kërcënuar në shtëpi para dy javëve, na kanë ardhur në shtëpi. Më thanë që do ta vrasin mos të vijë më në fshat, punë partie. Kandidonte në Roskovec”, tha bashkëshortja e Hoxhës me lot në sy.

Ndërsa Shezai Çobaj, kryesuesi i listës së FRD në Fier pohon se Mithat Hoxha i ka njohur autorët. “Por ai nuk flet dot për shkak të gjendjes shëndetësore”, tha Çobaj.

Sipas tij, Mithat Hoxha ka marrë kërcënime nëpërmjet telefonit madje ka bërë dhe denoncim në polici rreth kërcënimeve.

Pas ngjarjes së rëndë, FRD ka dalë me një deklaratë zyrtare ku thekson se ky është një akt kërcënues për jetën dhe integritetin e procesit zgjedhor në Fier.

“FRD kërkon publikisht nga Policia e Shtetit të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vendosur përpara drejtësisë personat përgjegjës. Policia e Shtetit duhet të mbajë dyfish përgjegjësi për zyrtarët lokalë, të cilët kanë injoruar denoncimet e zotit Hoxha për presione të vazhdueshme nominale për shkak të aktivitetit të tij politik dhe elektoral. Në një shtet të së drejtës, të gjithë ata janë njësoj përgjegjës si edhe ata që kanë kurajën të godasin një qytetar të lirë, një politikan dhe një person publik, ndaj FRD zotohet publikisht se do të ndërmarrë çdo hap institucional për të vendosur përpara ligjit të gjithë ata që e kanë shkelur atë, që kanë nxitur krimin dhe që e kanë realizuar atë,” thuhet në deklaratën e FRD./ep

  TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.