Rrahu fëmijën, në gjyq edukatorja. Akuza: E kapi te nofullat me thonj, pasi i mituri s’po flinte gjumë

TIRANE – Në Gjykatën e Tiranës nisi dje shqyrtimi i një dosjeje ku e pandehur është edukatorja e një kopshti shtetëror në kryeqytet, e dyshuar për keqtrajtimin e të miturit. Edukatorja, 39-vjeçarja Alma Toska, do të gjykohet nga togat e zeza të Gjykatës së kryeqytetit për akuzën e “keqtrajtim të të miturit”. Ajo është kallëzuar nga prindërit e një prej fëmijëve të kopshtit ku ushtron funksionin e saj të edukatores, në fund të vitit të kaluar. Nga ana e saj, e pandehura nuk e ka pranuar akuzën dhe pretendon se e gjitha është një sajesë e prindërve të 4- vjeçarit, që pretendojnë keqtrajtimin.
Referuar kërkesës për gjykim, të lexuar dje para gjyqtarit Arben Micko, organi i akuzës dyshon se fëmija është keqtrajtuar për shkak se nuk pranonte të flinte gjumë. Për konstatimin e keqtrajtimit të dyshuar, përfaqësuesi i akuzës tha se kjo kishte ndodhur një ditë që i mituri ishte marrë në kopsht nga një e afërmja e tij. “Pas pyetjes së tij, prindi është vënë në dijeni se edukatorja e tij e ka kapur te nofullat me thonj, pasi i mituri nuk po flinte gjumë”, u shpreh prokurori.
U mësua se para organeve të hetimit edukatorja e pandehur ka në favorin e saj dëshmitë e kolegeve, të cilat në dëshmitë e tyre e kanë mohuar ngjarjen e dyshuar. Në seancën e djeshme, trupi gjykues pranoi kërkesën e prokurorit për të thirrur si dëshmitarë në seancën e radhës prindërit e të miturit 4-vjeçar. Dosja në ngarkim të Alma Toskës është regjistruar më 2 maj të këtij viti dhe mban numrin 1105 në regjistrin e çështjeve të Gjykatës së Tiranës.
PANORAMA
Add new comment