Roshi Berishës: Ke humbur bastin me Kavajën

Nëpërmjet një letre drejtuar medieve, ka reaguar kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi ndaj deklaratave të djeshme të kryeministrit Berisha, i cili tha se do të bëjë copash ata që do të prekin monumentin e dy gishtave në qendër të qytetit. Roshi në letrën e tij shkruan se Berisha e ka humbur bastin me Kavajën, dhe do të jenë qytetarët që do ta bëjë copash atë në me votë në 23 qershorit.
"Meqë nga sheshi i demokracisë m’u drejtove mua personalisht, po të them se ti akuzat personale për kundërshtarët e tu politikë i ke zakon. E ke bërë këtë me kryetarin e Partisë Socialiste, me të gjithë të zgjedhurit vendorë të PS dhe kandidatët e saj për deputetë. Dhe një argument për këtë ka dhe e kupton gjithë populli: si kryeministër në ikje, të ka zënë tmerri për pleqërinë tende dhe për votën e qytetarëve të Kavajës.
Si një deputet në ikje i qytetit të Kavajës, ti more zotëri, bllokove çdo investim për qytetarët, duke bllokuar projektet jo vetëm infrastrukturore, por edhe ato sociale. Qytetarët e Kavajës nuk kanë nevojë që t’u tregosh sesa pranë tyre ke qëndruar këto 23 vjet, sepse ti personalisht i ke zhgënjyer, ke dështuar dhe ke humbur bastin me ta.
Prej më shumë se dy vitesh, qytetarët e Kavajës kanë ndjerë ndryshimin në çdo qelizë të qytetit. 33 rrugë të reja janë shtruar në Kavajë dhe kjo falë punës, dashurisë, ndershmërisë dhe donacioneve të biznesit privat.
Qytetarët e Kavajës sot kanë më shumë përkujdesje sociale, më shumë menaxhim dhe frymëmarrje në qytetin që ti e mbylle në mënyrë të padrejtë. Shkollat, kopshtet, trotuaret, ndriçimi, mbjellja e pemëve, investimet për xhaminë e rrugën e Kishës, ujësjellësi, projekti i stadiumit, godina e Bashkisë së re që është duke përfunduar, janë projekte që kane marrë vlerësimin dhe vëmendjen e të gjithë qytetarëve të Kavajës.
Sigurisht doktor, si një njeri që në fillim duhet të kurosh veten e më pas të flasësh për të tjerët, të janë errur sytë t'i shohësh gjithë këto ndryshime në qytetin që ti bllokove e bojkotove. Por qytetarët e Kavajës ta treguan këtë me votë në 8 majin e vitit 2011, dhe jam i bindur se do të ta tregojnë 10 herë me shumë në 23 qershor 2013 duke votuar deputetin dhe djalin e tyre të sigurt Parid Cara.
Ti kërcënove zoti Berisha se do të bëje copash këdo që do të prekë të ashtuquajturin monument të dy gishtave. Por askush nuk të ka më frikë dhe të garantoj se qytetarët e rrethit të Kavajës, do të bëjnë copash me votë ty që i ke bojkotuar për 23 vjet, në 23 qershor, duke votuar Partinë Socialiste dhe numrin 29 në fletën e votimit.
Dhe meqë je i painformuar, po te them dy fjale për të ashtuquajturin monument të dy gishtave në qendër:
Projekti i qendrës së qytetit, është projekti më madhor për të cilën kemi punuar gjatë këtyre dy viteve kur ti nuk doje ti ktheje sytë nga Kavaja. Është një projekt gjigant, prej afro 8 milionë eurosh ku ka një harmonizim të sheshit ‘Demokracia’, me godinën e Bashkisë, lulishtet, shatërvanët e xhaminë e qytetit. Sa për atë që e konsideron monument dhe për të cilin je tallur prej 23 vitesh, po të them se ai vetëm monument i dy gishtave nuk është.
Projekti ynë do të sjellë një vepër akoma më të madhe e me të bukur, që hijeshon pamjen e qytetit, i jep vlerën e vërtetë dhe forcën e duhur zhvillimeve demokratike që nisen nga Kavaja që në vitin 1990 dhe që sigurisht, nuk mund të realizohet me ty kryeministër që ke mbetur akoma me mendësinë e shëtitjes në varkën e bllokmenëve.
Ky projekt madhështor, i monumentit historik të demokracisë, do të financohet nga qeveria e PS dhe do të bëhet realitet pas 23 qershorit.
Dhe e fundit që po të them doktor, është fakti që takimi yt i fundit me qytetarët e Kavajës do të jetë në datën 23 qershor dhe do të jetë me votë. Pastaj thjesht do te jesh një turist i qytetit të Kavajës që do të shohësh se sa esehtë zhvilluar qyteti që në momentin kur ti e ke lënë qytetin të lirë."
Berisha dje: Mjerë ai që do të guxojë ta prek
Monumenti simbol i “dy gishtave”, që gjendet në qendrën e qytetit të Kavajës, kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që u zhvillua më 25 mars 1990, është objekti i sulmit të radhës të kreut të mazhorancës Sali Berisha. Në reagimin e tij të ashpër ndaj deklaratës së rivalit të tij politik Edi Rama, dhe kryebashkiakut socialist Elvis Roshi, të cilët deklaruan dy ditë më parë se do ta hiqnin atë pas 23 qershorit, Berisha kërcënoi duke paralajmëruar: “Mjerë ai që do ta prekë atë. Tani edhe diçka për Edvinin e vogël. Sheshi është monument historik, kjo përmendore është monument historik, dhe po ta deklaroj, mjerë ai që do guxojë ta prekë. Ai do t’u kalojë brezave si dëshmi e burrave dhe grave që bënë historinë e lirisë.Ty që të tmerron përmendorja e heroizmit të Kavajës dhe shqiptarëve, sikur të imagjinosh një monument të bërë copa, do imagjinosh veten tënde pa këpucë i zbathur duke ecur mbi ato copa”,tha dje Berisha në Kavajë.
SHEKULLI
Add new comment