Romët rrezikojnë statusin

“Liritë dhe të drejtat e njeriut rrezikojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në dhjetor”. Ky ka qenë mesazhi i dërguar nga kryetari në detyrë i Përfaqësisë së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton.
Wilton dhe përfaqësues të KE-së u takuan me Avokatin e Popullit dhe në qendër të bisedës mes tyre kanë qenë liritë dhe të drejtat e komunitetit rom. Kryediplomati i OSBE-së tha se çështja e strehimit të romëve rrezikon marrjen e statusit kandidat.
“Të zgjidhet çështja e strehimit të romëve e cila është shqetësuese dhe përbën rrezik për marrjen e statusit kandidat të vendit. T’u jepen romëve akses në shëndetësi dhe arsim. Sigurisht kjo kërkon kohë dhe nuk ndodh sa hap e mbyll sytë”, tha zoti Wilton.
Më 5 gusht, “Amnesty International” kërkoi marrjen e masave urgjente për 37 familjet rome që rrezikojnë të dëbohen nga banesat e tyre në rrugën e Kavajës në Tiranë.
Deklarata u bë dy dite përpara skadimit të afatit që u ishtë caktuar nga kompania e ndërtimit “Park Construction Albania” për të liruar hapësirën tek ish-Qendra e Realizimit të Punimeve të Artit, ku disa prej këtyre familjeve rome jetojnë prej më shumë se 10 vitesh.
“Amnesty International” shkruan në apelin e saj se pronari i tokës nuk ka respektuar procedurat e përcaktuara në ligj dhe se autoritetet nuk kanë marrë masa për t’u garantuar familjeve rome një strehim alternativ.
Organizata e të drejtave të njeriut i referohet edhe informacioneve të marra nga Avokati i Popullit, se ndërtimi ka nisur në një pjesë të zonës, për të cilën është siguruar leja dhe se kompania u ka ndaluar romëve të lëvizin aty lirisht.
Pavarësisht kërkesës së Avokatit të Popullit që pronari i tokës të ndjekë proceset e nevojshme ligjore dhe juridike, kompania thotë se nuk ka asnjë detyrim për romët që kane zaptuar tokën, që nuk kanë asnjë të drejtë mbi truallin.
“Amnisty International” shkruan se megjithëse Shqipëria nuk ka një ligj që ndalon dëbimet me forcë, sipas ligjit ekzistues, pronari i tokës duhet t’i njoftojë brenda 10 ditëve.
“Asnjë prej familjeve rome nuk ka marrë një njoftim zyrtar për të lënë vendbanimin përkundrazi”, shkruan “Amnesty International”, “janë kërcënuar nga punonjësit e kompanisë së ndërtimit dhe disa romë kanë bërë denoncime në komisariatin e policisë.
Organizata bën thirrje t’i dërgohen apele për këtë çështje; Kryebashkiakut të Tiranës, Lulezim Basha dhe Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera brenda 30 gushtit.
Top channel
Add new comment