Romët ngrenë çadra te “Skënderbeu”

Postuar në 13 Gusht, 2013 04:17

Dëbimi - Javën e kaluar 37 familje rome fillimisht, e më pas edhe 8 të tjera, u larguan nga vendbanimet e tyre, pavarësisht ndërhyrjes së institucioneve
Institucionet - Avokati i Popullit, por edhe kreu i Policisë së Shtetit kanë deklaruar se për këtë kategori sociale duhet kujdes dhe vëmendje, lidhur me problemin e tyre për strehimin
Kompania - Dy ditë më parë, kompania që do të zhvillojë zonën pranë Pallatit me shigjeta, ka deklaruar se romët kanë qenë dakord për shpërnguljen e tyre dhe se kanë firmosur për këtë
Protesta - Shoqëria Civile, organizatat jo fitimprurëse që merren me çështjet e romëve, por edhe me të drejtat e njeriut kanë protestuar për problemin e tyre para Bashkisë së Tiranës
Ndërkombëtarët - Sot në një takim do të mblidhen të diskutojnë lidhur me situatën, anëtarë të shoqërisë civile, OJF dhe përfaqësi të trupës diplomatike akredituar në vendin tonë
Strehimi - Deri tani Ministria e Punës nëpërmjet përfaqësuesit të saj ka deklaruar se çështja e strehimit për romët është zgjidhur provizorisht, ata do të qëndrojnë në çadra në Sharrë
Protesta

“Do të qëndrojmë deri sa të na japin shtëpi”. Asnjë përfaqësues i Bashkisë nuk takon protestuesit

Lorina Mixha

Protesta e djeshme, e paralajmëruar nga Shoqëria Civile, lidhur me të drejtat e strehimit të familjeve rome të dëbuara në Tiranë mori një tjetër rrjedhë, doli jashtë parashikimit.
Ndërsa Shoqëria Civile qëndronte para godinës së Bashkisë së Tiranës, pas protestës paqësore që nuk zgjati dy orë sa ishte marrë leja, anëtarët e komunitetit rom janë zhvendosur me shpejtësi pranë lulishtes ku qëndron stoik heroi ynë, Gjergj Kastriot Skënderbeu… Punonjës të Policisë Bashkiake fillimisht kanë ndalur romët të shtrojnë batanijet në zemër të qytetit, por, pavarësisht kësaj dhe konfrontimit mes dy palëve, romët kanë fituar dhe janë ngujuar rreth mesditës në qendër të Tiranës, deri në zgjidhje të problemit të tyre të strehimit.
Komuniteti rom, i larguar nga vendbanimi i tyre pranë ish-Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit, është vendosur në sheshin “Skënderbej”, ku pritet të ngrejë strehë deri në momentin që do të marrë përgjigje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Gjatë protestës të organizuar paradite, romët thonë se kanë pasur përplasje me Policinë Bashkiake. Të gjendur prej ditësh në rrugë të madhe, ata kërkojnë që shteti të tregojë së paku interesim për çështjen e tyre.
Ministria e Punës deklaroi dje zyrtarisht se zgjidhja për ta është gjetur në Sharrë, do të jetë e përkohshme, por të paktën komuniteti nuk do të mbetet pa strehë, por, nga ana tjetër, romët kanë deklaruar se ata nuk kanë pasur asnjë takim dhe komunikim me përfaqësues të Ministrisë së Punës. Për më shumë, sipas tyre askush nuk u ka dhënë një lajm të tillë për çështjen e strehimit, detaje apo njoftime të dobishme për kauzën e tyre, gjithçka e kanë dëgjuar në televizor.
“Federata e Romëve të Shqipërisë dhe të rinjtë romë dhe egjiptianë i bëjnë përsëri thirrje institucioneve shtetërore përkatëse që me urgjencë të marrin masa për strehimin e këtij komuniteti, duke zgjidhur këtë nevojë jetike të tyre sa më shpejt. Bashkia e Tiranës duhet të reagojë. Ky komunitet nuk mund të jetojë më kështu. Po shkelen të drejtat e njeriut, po shkelen të drejtat e njerëzve të komunitetit rom. Është shumë e çuditshme që ndërkombëtarët po reagojnë, por shteti jonë jo.”- u shpreh përfaqësuesja e Federatës së Romëve Brisejda Taco.
Sot pritet të mblidhen në një takim përfaqësues të Bashkimit Europian, anëtarë të përfaqësive diplomatike, por nga ana tjetër edhe shoqata e organizata që kanë marrë fonde për integrimin dhe dhënien e ndihmës për këtë kategori sociale.
Romët e vendosur pranë Skënderbeut, nuk janë ngritur nga vendi, ushqimin ua kanë siguruar organizatat jofitimprurëse, ndërkohë që rreth orës 16:00 pasdite kanë qenë nën presionin e Policisë Bashkiake, të cilët u kanë kërkuar romëve të largohen.
Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile kanë vendosur të bëjnë me rotacion monitorimin e situatës, për të parë nga afër se cilat do të jenë veprimet e institucioneve, sidomos gjatë natës, nëse do të ketë ndonjë aksion për largimin e tyre, apo thjesht patrulla për të kontrolluar situatën.
“Problemi i familjeve rome, që ndodhen në ish-fabrikën e skulpturave, përballë me Pallatin me shigjeta, t’i jepet zgjidhje sa më shpejt, sepse problemi vjen nga dita në ditë duke u bërë një katastrofë e madhe me familjet rome. Ju lutem të dëgjohet zëri i institucioneve shtetërore, të dëgjohet zëri i qeverisë”, deklaroi Xheladin Taco, kreu i Federatës së Romëve.
Për rastin e romëve të dëbuar nga vendbanimi i tyre ka reaguar edhe Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut.
“Bashkia të paktën të jetë humane, në mos nuk është profesionale. Edhe nga mediat kjo çështje nuk duhet të kalojë si gjithnjë, por duhet të trajtohet si një çështje e rëndësishme”, thotë Elsa Ballauri, nga Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut.

CRCA
Kërkesa: Bashkia dhe Këshilli Bashkiak të reagojnë urgjentisht

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri– CRCA, i bën thirrje publike Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha dhe Këshillit Bashkiak Tiranë, që në funksion të funksioneve dhe detyrimeve ligjore që kanë, të reagojnë pa humbur kohë për të mbrojtur dhe për t’i dhënë zgjidhje çështjes së strehimit të 37 familjeve rome, që banonin pranë ish-Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit, në “Rrugën e Kavajës”.
CRCA Shqipëri, nëpërmjet verifikimeve në terren dhe informacionit të mbledhur nga media, vlerëson se në këtë zonë jetojnë rreth 37 familje rome, shumica e tyre të ardhura në Tiranë që në vitet ‘90. Këto familje, midis të cilave edhe dhjetëra foshnja, prej disa ditësh qëndrojnë në qiell të hapur, duke u përballur kështu me urinë, skamjen dhe temperaturat e larta të stinës.

Ministria e Punës: Strehimin për romët e siguruam në Sharrë

Qendra ka një sipërfaqe mbi 40 mijë metra katrorë. Bitro: Situata mos të shfrytëzohet politikisht

Kleves Bitro, drejtor Kabineti në Ministrinë e Punës ka reaguar dje për çështjen e strehimit të romëve. Sipas tij, kjo ministri, të tilla situata i ka administruar edhe më parë dhe në bashkëpunim me organizatat jofitimprurëse ka mundësuar sigurimin e strehimit për romët në zonën e Sharrës.
Ndërkohë që Bitro ka thënë, në deklaratën e tij, që institucione të tjera nuk duhet të ndërhyjnë për ta përkeqësuar më tej gjendjen me deklaratat e tyre.
Dje nuk ka dhënë asnjë deklaratë dhe nuk ka pasur asnjë reagim Institucioni i Avokatit të Popullit.
“Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta gjithë këtë periudhë ka qenë në bashkëpunim me shoqatat përfaqësuese të romëve dhe është treguar e gatshme për zgjidhjen e konfliktit të krijuar nga shpërngulja e romëve dhe për akomodimin dhe mbështetjen e tyre në Qendrën Kombëtare Pritëse të Rehabilitimit të Familjeve rome, që ndodhet në zonën e Sharrës, afër Kombinatit”, deklaroi Bitro.
Kjo sipërfaqe, me Vendim të Këshillit të Ministrave, është transferuar tek Shërbimi Social Shtetëror, ku me një buxhet të Ministrisë është nënshkruar kontrata për rikonstruksionin e shtatë godinave që ndodhen në këtë qendër.
Ministria e Punës ka një bashkëpunim të ngushtë me aktivistë të Amnesty International, me Komisioneren Antidiskriminim, me shoqatat përfaqësuese të romëve dhe institucionet e tjera për të zgjidhur këtë problem kompleks, siç është strehimi i romëve dhe i shtresave të tjera vulnerabil.
Ministria ka menaxhuar situata të tilla edhe në 2010, ku iu përgjigj nevojës emergjente për strehim të familjeve rome të zhvendosura nga “Stacioni i Trenit”.
“Qendra e Sharrës ka një sipërfaqe mbi 40 mijë metra katrorë dhe, me koordinim të të gjitha institucioneve, mund të ofrojë zgjidhje për menaxhimin e situatës së krijuar nga konflikti.
Së fundi, gjejmë rastin të bëjmë thirrje tek disa institucione, që të mos bëhen pjesë e ndërlikimit të situatës dhe shfrytëzimit politikisht të saj”, sqaroi zyrtarisht Ministria e Punës dhe Shanseve të Barabarta.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.