Roderich Kiesewetter: Statusi i Shqipërisë, nga drejtësia për 21 janari

Postuar në 16 Shkurt, 2013 12:57

 

Roderich Kiesewetter, raportuesi i partisë më të madhe në Gjermani për Shqipërinë, i bashkohet kritikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me vendimin gjyqësor për vrasjen e tre demonstruesve në 21 janar të 2011-ës.

“Nuk i njoh në detaje rezultatet e hetimeve, por kur prokuroria konstaton se bëhet fjalë për vepra penale të shkallës më të rëndë, pasi përndryshe nuk kërkohen 23 dhe 25 vite dënim dhe më pas vjen një vendim pafajësie, këtu lipset një hetim i veçantë. Në Gjermani kjo do të çonte në ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, sepse ka paqartësi të mëdha për mënyrën sesi u arrit në këtë vendim.

Po, e dëshirojmë një drejtësi të pavarur edhe në Shqipëri, por midis kërkesës për 23 dhe 25 vjet heqje lirie dhe shpalljes së pafajësisë ka një dallim gjigant, dallim i cili është i pakuptueshëm për vendet e Bashkimit që i duan të mirën Shqipërisë, e ku bën pjesë dhe Gjermania. Për këtë arsye mendoj se një çështje e tillë kërkon hetim, aq më tepër në një kohë kur Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian ose së paku të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Besoj që këtu së paku duhet shmangur përshtypja se vendimi mund të jetë arritur në rrugë jo të ligjshme”, tha Kiesewetter në një intervistë për Deutsche Welle.

Kiesewetter shton më tej se: ‘që në janar 2011 e kam kritikuar sjelljen e autoriteteve të drejtësisë. Vendimi për pafajësi nuk mund të jetë përfundimi i të gjitha hetimeve”. Deputeti demokristian shton më tej se BE-ja nuk mund t’i lejojë vetes që të kandidojnë për aderim shtete, të cilat nuk kanë trajtuar sipas rregullave të caktuara pjesë të rëndësishme të çështjeve të hapura juridike.

“Apeli im për përgjegjësit në Shqipëri është që të kujdesen bashkarisht për zbardhjen e ngjarjeve dhe të bëjnë reklamë për vendin jashtë. Blloku është i interesuar të dijë përse u arrit në këtë vendim, pra duhen zbuluar të gjitha të dhënat dhe duhet të bëhet e qartë që drejtësia shqiptare ka interes në zgjidhjen e rasteve. Nuk lejohet të krijohet përshtypja që këtu mbulohen pazarllëqe. Nëse nuk kryhet kjo zbardhje e plotë, atëherë edhe të gjithë përkrahësit e statusit të kandidatit për Shqipërinë do të tërhiqen dhe do të thonë: Shqipërisë iu dashkërka më shumë kohë. Shpresoj që ky mesazh të kuptohet në Shqipëri dhe që Shqipëria ta mbledhë veten dhe t’i zgjidhë shpejt e pa vonesë në javët e ardhshme incidentet e 21 janarit”, thotë ai.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.