Rikthehet bora, vështirësi qarkullimi në Veri, rrezikohet bllokimi i dhjetëra komunave

Rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore të vendit, duke shkaktuar probleme në disa komuna të thella në veri të vendit.
Drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli në një deklaratë për mediat, ka sqaruar se situata e krijuar nga reshjet e borës të rëna gjatë 24 orëve të fundit nuk ka krijuar probleme serioze në akset rrugore. Ai ka deklaruar se të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme dhe nuk ka pasur asnjë emergjence shëndetësore.
Ndërkohë ministri i Transporteve, Sokol Olldashi ka sqaruar në faqen e tij në Facebook se: “Janë të kalueshme me zinxhirë akset Bajram Curri-Valbonë, Fushë Studen-Stebleve, Boboshticë-Dardhë, Voskop-Voskopojë. Të gjithë akset e tjerë kombëtare janë të kalueshëm pa probleme”.
Kukës
Bora, e nisur që prej orëve të para të mëngjesitka krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka nxjerrë 5 borëpastruese në terren për të mbajtur të kalueshëm aksin kombëtar Kalimash- Kukës- Morin. Zyra e Emergjencave Civile qëndron në gatishmëri pasi nëse reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet rrezikohet bllokimi i zonave malore. Probleme regjistrohen edhe në akset Kukës-Shishtavec, Kukës-Krumë, Kukës-Peshkopi, si dhe Fushë Arrëz-Kukës, ndërkohë që raportohet se segmenti rrugor Krumë-Bajram Curri është i kalueshëm me zinxhirë.
Elbasan
Reshjet e borës kanë krijuar probleme edhe në qarkun e Elbasanit. Gjatë natës, bën të ditur zyra e Emergjencave Civile ka patur vështirësi dhe bllokim të rrugëve kryesore. Akset rrugore Qafë Krrabë- Qafë Thanë- Librazhd- Peshkopi gjatë gjithë natës kanë qenë të mbuluara nga dëbora dhe pjesërisht të bllokuara. Trashësia e dëborës i ka kaluar të 30 centimetra në zonat malore në Stebleve, Qarrishtë, Sopot, Labinot- Mal, Gracen, Zavalinë, Gjinar e Rrajcë.
Policia rrugore nga ana e saj u ka bërë thirrje përdoruesve të rrugës që të bëjnë kujdes maksimal në lëvizje duke patur parasysh kushtet e vështira atmosferike dhe asnjë prej tyre nuk do lejohet të qarkullojë në këto akse pa zinxhirë.
Gjirokastër
Temperaturat e ulta kanë përfshirë edhe rajonin jugor të vendit. Zonat malare, që ndodhen 400 metra mbi nivelin e detit janë mbuluar nga dëbora, ndërkohë në disa segmente rrugore qarkullimi i automjeteve kryet me vështirësi. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai, në komunat Zagori dhe Pogon (Gjirokastër), trashësia e dëborës varion nga 30-40 centrimetra, ndërsa qarkullimi rrugor kryet me zinxhirë. Në komunën Frashër (Përmet) dhe Kurvelesh (Tepelenë), dëbora varion nga 50-60 centrimetra, ndërkohë që rrugët janë të pakalueshme. Segmenti rrugor kombëtar Jorgucat- Qafa e Muzinës, nga kilometri e 7 deri tek 15, është mbuluar me dëborë, ndërsa qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë.
Shkodër
Pasditen e sotme janë rikthyer reshjet e dëborës gati në gjithë Qarkun e Shkodrës, duke krijuar probleme në zonat malore. Qarkullimi i automjeteve kryhet me vështirësi në akset rrugore të rrethit Malësi e Madhe, kryesisht në Komunën malore të Kelmendit, ku në segmentin Selcë-Qaf e Bordolecit, trashësia e dëborës është mbi një metër. Probleme janë shfaqur edhe në zonën e Dukagjinit, ku trashësia e dëborës ka shkuar rreth 50 cm. Ndërkohë, në rrethin e Pukës problemet më të mëdha shfaqen në Komunat Iballe, Blerim, si dhe në aksin rrugor Qaf Mal- Fierze, ku kalohet me vështirësi. Probleme ka patur edhe në komunën e Velipojës, ku si rezultat i reshjeve të shiut të rëna me shumicë gjatë ditëve të fundit, ka pasur rrëshqitje të dherave nga mali duke krijuar probleme në aksin rrugor të fshatit turistik Rrjoll-Velipojë.
SHQIP
Add new comment