Riformatohen serverët e Kryeministrisë

Sot, Gjergj Lezhja dorëzon dosjet
Në një kohë kur nesër pritet që qeveria e majtë të marrë votëbesimin nga deputetët në Kuvendin e Shqipërisë, dhe kur sot pritet që stafit të kabinetit të Kryeministrit Rama t’i dorëzohen të protokolluara të gjitha dosjet e qeverisë “Berisha”, mësohet se kompjuterët e serverët e Kryeministrisë që kanë qenë në përdorim gjatë këtyre viteve, i janë nënshtruar procesit të riformatimit. Ende nuk mësohet ekzaktësisht nga burime brenda selisë së qeverisë, nëse është ruajtur, ose jo, ndonjë kopje e këtyre materialeve zyrtare që kanë qenë në kompjuterët e përdorur nga administrata e Kryeministrisë.
Riformatimi
Dy ditë para se Kuvendi të zhvillonte seancën e parë plenare që do t’i hapte rrugë procesit të rrotacionit të pushteteve, fundjava e kaluar ka qenë e ngjeshur për punonjësit e administratës së Kryeministrisë. Të premten dhe të shtunën e kaluar ata janë thirrur në zyrat e tyre, për të përmbyllur procesin e certifikimit të materialeve zyrtare që do t’i vihen sot në dispozicion kabinetit të ri, që do të drejtohet nga kryesocialisti Edi Rama. Gjatë këtyre dy ditëve, nga burime të besueshme në Kryeministri, mësohet se të gjithë punonjësit janë urdhëruar që të riformatojnë kompjuterët dhe serverët e tyre. Por, sa u përket materialeve që përmbanin këto kompjuterë “nuk e dimë a janë ruajtur apo jo këto materiale”, thanë burime nga Kryeministria. Kjo është hera e dytë që serverët dhe kompjuterët e Kryeministrisë riformatohen. Hera e parë u regjistrua në vitin 2011, ku ish-IT i Kryeministrisë, Armando Kasa, u akuzua në atë kohë nga opozita e majtë se fshiu nga serveri i Kryeministrisë pamjet e protestës së dhunshme të 21 janarit, në të cilat dyshohej se ishin edhe ato të vrasjes së katër protestuesve opozitarë pasditen e 21 janarit, të cilët po protestonin në sheshin para Kryeministrisë. Por, pas një procesi gjyqësor për këtë çështje, Kasa u shpall i pafajshëm nga Gjykata.
Ndërrimi i pushtetit
Sot paradite është vendosur që të kryhet rrotacioni i pushtetit, ku Kryeministri Rama, pas procedurave në Parlament dhe në Presidencë bashkë me kabinetin e tij, protokolli dhe sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë pritet të bëjnë dorëzimet për qeverinë e re. Nga burime zyrtare mësohet se as Rama dhe as Berisha nuk do të jenë të pranishëm për t’i liruar Ramës zyrën e katit të dytë, zyrë ku Berisha ka kaluar 8 vitet e fundit dhe ka firmosur vendime të rëndësishme. Nga burime të selisë rozë mësohet se do të jetë shefja e protokollit, Nadia Qesja, dhe sekretari i përgjithshëm Gjergj Lezhja që do të orientojnë dhe do t’i dorëzojnë dokumentet Ramës, ndërsa pritet që pas këtij momenti, edhe ata të largohen nga godina e Kryeministrisë, për t’i lënë hapësirë stafit të kabinetit Rama, që fillimisht do të drejtohet nga drejtoresha e kabinetit, Vali Bizhga. Kjo, pasi kreu i ri i qeverisë dhe një pjesë e ministrave të tij do të jenë sot në Kosovë në një vizitë zyrtare për të përuruar detyrën e tyre të re. Ndërsa stafi i Ramës do të fillojë menjëherë nga puna për këqyrjen materialeve që do të marrin në dorëzim dhe përgatitjen për mbledhjen e parë zyrtare të qeverisë së re. Gjatë këtyre ditëve, stafi i Ramës është parë duke u futur në godinën e Kryeministrisë ku mësohet se këto vizita kanë qenë në kuadër të njohjes dhe përcaktimit të zyrave ku do akomodohet administrata e re.
Serverët
Në këta serverë dhe kompjuterë është e dokumentuar e gjithë puna e bërë në Kryeministri gjatë këtyre tetë viteve, ku në këto materiale janë procesverbale, vendime qeverie, pamje filmike, fotografi dhe një sërë materialesh në funksion të dokumentimit të punës së administratës.
Pafajësia
Njeriu i akuzuar për fshirjen e serverit të Kryeministrisë me pamjet e vrasjes së katër protestuesve më 21 janar, Armando Kasa u emërua pak ditë më parë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Largimi
Në ditën që zyrtarisht Sali Berisha iku nga Kryeministria, Armando Kasa, tashmë i pafajshëm, u emërua pak ditë më parë drejtor IT-je në ILDKP.
SHQIP
Add new comment