Rezoluta e PS, Rama “fton” në koalicion çamët

Postuar në 09 Prill, 2013 15:03

 

Teksti i moderuar i projekt-rezolutës për çështjen çame, e propozuar dje nga Rama, është përshëndetur nga Idrizi i PDIU-së dhe Lëvizja Çame. Madje kjo e fundit ka shprehur gatishmërinë për të organizuar takime të komunitetit çam me PS-në..

 

Komuniteti çam duket se edhe në këto zgjedhje parlamentare do të ketë një votë të ndarë mes së majtës dhe së djathtës. Partia Socialiste dje ka bërë një hap konkret në drejtim të tërheqjes së një pjese të këtij komuniteti, duke propozuar një projekt-rezolutë alternative me atë të paraqitur nga Partia për Drejtësi, Unitet dhe Integrim, për trajtimin çështjes çame nga institucionet shtetërore shqiptare. Ka qenë vetë kreu socialist Edi Rama ai që ka bërë prezantimin e këtij drafti, të cilin e konsideroi si një mjet që bën një trajtim europian të kësaj çështjeje delikate dhe që respekton mbi të gjitha miqësinë mes dy popujve, atij grek dhe popullit shqiptar. “Ne, përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë, e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”, thuhet në këtë projekt-rezolutë, ndërsa i kërkohet qeverisë ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy herë në vit pranë Kuvendit për ecurinë e kësaj çështjeje. “Kjo është projekt-rezoluta alternative, që në këndvështrimin tonë, të Partisë Socialiste, e adreson këtë çështje duke e nxjerrë nga një inerci, për hir të së vërtetës, jo fort e denjë për politikën shqiptare në gjithë këto vite. Por dhe duke e çminuar terrenin e një konflikti të paarsyeshëm mes forcash politike të këtij vendi. Në mënyrë që në Shqipërinë e sotme të ketë sa më pak vend për dufe nacionaliste, të cilat fatkeqësisht burojnë edhe nga lënia në hije apo nxjerrja në dritë e çështjeve kaq delikate për arsye mirëfilli politike dhe më keq akoma për interesa mirëfilli elektorale”, – do të shprehej Rama në deklaratën e vet që shoqëroi prezantimin e kësaj projekt-rezolute. Por pavarësisht retorikës, duket se pikërisht arsyet politike dhe interesat direkte elektorale kanë shtyrë dhe PS-në që të ndërmarrë këtë hap. Së pari, ndërmarrja e këtij hapi mund të interpretohet direkt si një përpjekje e PS-së për të bindur një pjesë të elektoratit çam se çështja e tyre nuk është pronë vetëm e PDIU-së, si forca që përfaqëson interesat e tyre. Ndaj, me këtë lëvizje PS i jep të drejtë vetes që gjatë fushatës elektorale të kërkojë dhe votën e komunitetit çam. Së dyti, kjo mund të interpretohet edhe si një taktikë elektorale për të mbështetur Lëvizjen Çame, si një rrymë alternative e PDIU-së dhe Shoqatës Çamëria që deri më tani janë pozicionuar djathtas. Jo pa qëllim kjo lëvizje, menjëherë pasi Rama bëri prezantimin e këtij dokumenti, nxitoi ta përshëndesë atë duke u shprehur e gatshme që të organizojë dhe tryeza të posaçme me fokus çështjen çame. Por, gjithsesi nuk përjashtohet mundësia që me këtë lëvizje të minutës së fundit PS t’i ketë drejtuar dhe një mesazh të qartë vetë PDIU-së që t’i bashkohet koalicionit opozitar. Vetë PDIU me anë të drejtuesve të saj, këto kohë ka deklaruar se do të jetë me atë koalicion parazgjedhor që do të mbështesë rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. E kapur në befasi, vetë PDIU e ka përshëndetur këtë iniciativë të PS-së, ndërsa e ka ftuar atë që të japë kontributin e saj edhe në komisionin e Jashtëm për të hartuar një draft integral.

Idrizi

“Ne përshëndesim hapjen e liderit të opozitës ndaj çështjes çame dhe konfirmimin se PS nuk e ka përfshirë në programin e saj këtë çështje thjesht për ta lënë në letër. Ne vlerësojmë se ky propozim që vjen nga PS zhbllokon impasin që ishte krijuar brenda komisionit të Jashtëm në procesin e miratimit të rezolutës së çështjes çame nga Parlamenti shqiptar dhe vëmë në dukje tri momente që shkojnë në të njëjtën gjatësi vale me projektin tonë”, – u shpreh dje Idrizi si reagim ndaj draftit të PS-së. E duke u nisur nga gjuha e zbutur dhe e moderuar që përmban drafti socialist, kjo lëvizje mund të konsiderohet edhe si një përpjekje e socialistëve për ta mbajtur mirë dhe derën e hapur edhe për PBDNJ-në, e cila ka kundërshtuar fort projekt-rezolutën e PDIU-së. Pra në total, PS me këtë lëvizje kërkon që të marrë si votat e komunitetit çam, ashtu edhe të minoritetit grek.

 

 

 

Draft-rezoluta

 

I. Duke vlerësuar se Shqipëria europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare ka në qendër të misionit të saj adresimin e çështjes kombëtare, mbrojtjen e interesave kombëtare, të pavarësisë, lirisë e të sovranitetit të vendit, parandalimin e konflikteve dhe kontributin për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë;

 

Duke e konsideruar të paçmuar mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në proceset e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve tona, dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat si dy vende fqinje dhe aleate në strukturat euro-atlantike;

 

Duke njohur rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në funksion të adresimit të çështjeve me interes të ndërsjellë dhe krijimit të një modeli bashkëpunimi edhe për vendet e tjera të rajonit;

 

Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan;

 

Duke u mbështetur në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;

 

II. Ne, përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë, e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

 

III. Për këtë, i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy herë në vit pranë Kuvendit të Shqipërisë për ecurinë e kësaj çështjeje.

 

 

 

Lëvizja Çame: Gati për takime të komunitetit tonë me PS

 

Lëvizja Çame si një forcë kundërshtare me PDIU-në, dhe që mbështetet fuqishëm nga Partia Socialiste në këto zgjedhje, ka përshëndetur dje prezantimin nga socialistët të projekt-rezolutës alternative për trajtimin e çështjes çame. “Lëvizja Çame shpreh vlerësimin e saj në lidhje me deklaratat e fundit të Partisë Socialiste për përqasjen e tyre për Çështjen Çame”, – thuhet në deklaratën e shpërndarë dje për shtyp nga kjo Lëvizje. Më tej, në të bëhet e ditur se kjo Lëvizje mbështet fuqishëm idenë për përdorimin e instrumenteve europiane të trajtimit dhe kërkimit të së drejtës për çështjen çame, ashtu sikundër trajtohet në këtë draft-rezolutë. Më tej ajo nuk lë pa sulmuar edhe PDIU-në për rolin që ka marrë si dominant në trajtimin e kësaj çështjeje, duke i quajtur veprimet e saj në shërbim të interesave të mirëfillta partiake. “Instrumente që me aq bujë janë bërë publikë nga aktorë të ndryshëm politikë, por rezultuan veç flluska sapuni për përdorim të ngushtë partiak”, – thuhet në këtë deklaratë. Në fund Lëvizja Çame shprehet e gatshme që të kontribuojë në mënyrë konkrete për organizimin e tryezave me PS-në për të trajtuar këtë çështje më tej. “Lëvizja Çame shprehet e gatshme të organizojë takime të komunitetit çam me Partinë Socialiste për të diskutuar mënyrën për aprovimin e Rezolutës për Çështjen Çame dhe gjithashtu të diskutojnë për ndihmën që ky komunitet mund të japë për zbatimin e programit të PS për Çështjen Çame”, – thekson Lëvizja Çame në deklaratën e vet.

 

 

Idrizi: Përshëndesim hapjen e PS për çështjen çame

 

Projektrezoluta alternative e paraqitur nga Partia Socialiste për çështjen çame, ka bërë që të reflektojë edhe vetë Partia për Drejtësi dhe Unitet, e cila dje teksa ka përshëndetur qëndrimin e socialistëve, është distancuar publikisht nga nacionalizmi ekstrem duke u deklaruar se mbetet një forcë që mbështet patriotizmin e moderuar. Sipas kreut të kësaj force, Shpëtim Idrizi, baza e zgjidhjes së çështjes çame është e drejta ndërkombëtare, marrëdhënia e mbështetur në fqinjësinë e mirë dhe Traktatin e Miqësisë mes dy vendeve, Greqisë dhe Shqipërisë. Ndaj, theksoi ai, PDIU ka bindjen se fqinjësia e mirë mes popullit grek e atij shqiptar janë vlera të patjetërsueshme për paqen, stabilitetin, prosperitetin e të dy popujve si edhe të vetë rajonit, dhe se miratimi i rezolutës është një hap i fuqishëm në këtë drejtim. “Pajtohemi me faktin që çështja çame është një çështje e pazgjidhur politike, që duhet adresuar diplomatikisht në frymën dhe me instrumentet e sipërpërmendura. Çmojmë përfshirjen e detyrimit që qeveria të raportojë çdo gjashtë muaj në Parlament për adresimin diplomatik të kësaj çështjeje. PDIU është një parti që mbështet një patriotizëm modern e pragmatist, dhe që nuk ka asnjë lidhje me qëndrimet dhe retorikat folklorike dhe anakronike ksenofobe dhe ultranacionaliste, që më shumë ngjajnë me traditën shoviniste të vendeve fqinje”, – shprehet Idrizi ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha partive, mazhorancës dhe opozitës, që të angazhohen që sot për konsultime të hapura dhe konstruktive në mbledhjen e komisionit të Jashtëm të Kuvendit për hartimin e një drafti të integruar.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.