Reforma e ministrit ndryshon kupolën e Policisë së Shtetit

Kjo javë pritet të jetë edhe reformimi i Policisë së Shtetit. Kupola e kësaj drejtorie pritet të zëvendësohet me emra të tjerë të cilët janë emra të njohur në radhët e policisë, aktualë dhe të larguar, që pritet të marrin emërimin në rolin e drejtuesit të Policisë dhe të posteve numër dy në këtë drejtori. Referuar të dhënave të besueshme nga Ministria e Brendshme bëhet me dije se emrit të përfolur prej disa javësh, Artan Didi, i cili besohet edhe si kandidatura më e mundshme iu ka bashkëngjitur edhe një emër tjetër, Altin Qato, i cili vijon të mbajë poste drejtuese në radhët e policisë. Gjithashtu janë përcaktuar edhe ndryshimet në katër postet e zëvendësdrejtorëve, ndërkohë që ende nuk bëhet e ditur se në çfarë pozicionesh do të përfundojnë krerët e kësaj policie, emrat aq shumë të spikatur dhe njëherësh të kontestuar nga pozita drejtuese në kohën e të qënurit opozitë. Referuar të dhënave saktësohet se kandidaturës së Artan Didit, ish-kryepolicit të njohur i bashkëngjitet edhe emri i Altin Qatos, personit që viteve të fundit ka drejtuar policitë e qarkut të Shkodrës dhe të Beratit, ndërsa ka qenë edhe shef në disa sektorë të rëndësishëm në radhët e policisë.
Ndryshimet
Pas një sërë ndërhyrjesh në radhët e policisë dhe “fshesës” së Gardës, tashmë duket se radha i ka ardhur edhe një prej drejtorive më të rëndësishme në vend. Policia e Shtetit pritet që këtë javë të njohë drejtuesin e saj të ri, ndërsa vijohet të punohet për të sjellë në kupolën e kësaj drejtorie pikërisht emrat më të mirë, të cilët do të marrin në dorë situatën e rendit, aq shumë problematike në vend. Prej kohësh u fol se ndërhyrja e parë do të kryhej pikërisht në këtë rang drejtuesish, paçka se ndryshimi i ligjit për kreun e Policisë së Shtetit, mbase do të shërbejë sërish si ngërç për të realizuar emërimin e emrit më të përfolur aktualisht. Artan Didi, i cili ka drejtuar edhe repartin special të RENEA-s, u largua nga policia në kohën kur në krye të dikasterit të brendshëm gjendej Igli Toska, pak para se të vinte në pushtet e djathta. Didi, në kohën e vetëlargimit, thuhet se ka qëndruar jashtë vendi për shumë vite, ka qenë me gradën e kryekomisarit. Emri i tij vijon të përmbushë kushtet që kanë caktuar ekspertët e rendit dhe të sigurisë për të qenë kryepolici i vendit. Tjetër emër i sjellë në tavolinën e ministrit mësohet se është ai i Altin Qatos. Me një karrierë të spikatur si drejtues i policisë në disa qarqe të vendit, ku për një periudhë gati dy vjeçare drejtoi blutë e Shkodrës, Qato, konsiderohet një kandidaturë e fortë, por burimet saktësojnë se edhe nëse Qato nuk do të jetë numri një, pritet të marrë postin e zëvendësdrejtorit. Emrat e tjerë, të cilët u larguan pas ardhjes në pushtet të së djathtës 8 vite më parë, sipas burimeve do të afrohen në poste kyçe, ku sërish emrat më të lakuar është ai i Niko Brahimajt, ish-funksionarit të lartë të policisë që shoqëroi Sali Berishën për disa orë në polici, po ashtu edhe Bilbil Mema, i cili ka vijuar edh enë vitet e të qënurit jashtë policie të ndjek kurset profesionale të sigurisë, duke u vlerësuar edhe me notën maksimale, ndryshe shumë prej funksionarëve që vijonin të ishin në radhët e policisë.
Ikja e krerëve aktualë
Policia e Shtetit, ose disa prej funksionarëve të saj ishin prej kohësh në shënjestrën e opozitës e cila, pas 23 qershorit, u kthye në mazhorancë. Në fokus të sulmeve të vazhdueshme ishin pikërisht disa prej emrave që sapo ministri i brendshëm mori detyrën u krye edhe transferimi i tyre. Gjithçka nis me një mbledhje me krerët e policisë së shtetit dhe të qarqeve, ku ministri Saimir Tahiri kritikoi punën e deritanishme të policisë. Emri i parë që u largua nga Tira-na ishte pikërisht numri dy i policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i cili u transferua në të njëjtin post në Dibër. Përveç Breçanit për disa muaj, jo pak herë në shënjestër të opozitës së atëhershme u vunë edhe katër emrat që gjendeshin në postet e zëvendësdrejtorëve të Policisë së Shtetit. Një foto me mikun e tyre dhe mohi-mi i kësaj miqësie, uli mjaft reputacionin e 4 krerëve të policisë së Shtetit, ndërkohë që kryepolici i vendit, Hysni Burgaj, thuajse mbeti i papërfshirë në akuza të drejtpërdrejta nga ana e opozitës. Që me 28 tetor të vitit 2009, Burgaj ka marrë kreun e Policisë së Shtetit, i cili sipas të dhënave pritet të transferohet në një tjetër pozicion të rëndësishëm. Por burimet nuk bëjnë me dije në lidhje me pozicionet që do të mbajnë katër zëvendësit e tij, Agron Kuliçaj, Tonin Vocaj, Muhamet Rrumbullaku dhe Nikolin Bala.
Shekulli
Add new comment