RAUNDI I ATIFETES

Postuar në 06 Shkurt, 2013 03:18

 

Atifete Jahjaga është nisur drejt Brukselit duke bërë vlerësime kontradiktore rreth takimit me Tomislav Nikolic. Sipas saj, në ballafaqimin e parë me shefin e shtetit serb synohet të zgjidhen të gjitha çështjet, por nuk do të ketë dialog. Zyrtarët e BE’së thanë se takimi mes dy presidentëve ka për qëllim normalizimin e raporteve mes palëve.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, ka arritur t’i bindë presidentët e Kosovës dhe Serbisë që të ulen përballë njëri – tjetrit të mërkurën në Bruksel.

Shefja e shtetit kosovar ka udhëtuar të martën drejt kryeqytetit europian derisa Nikolic këtë pritet ta bëjë sot për shkak se dy ditëve të fundit ka qëndruar për vizitë zyrtare në Turqi.

Zyrtarët e BE’së nuk kanë treguar asgjë se çfarë pritet të bisedojnë dy palët, por kanë përsëritur se gjithçka është në kuadër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Madje Maja Kocijancic ka thënë se kontaktet mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë nuk janë normale. Pikërisht për këtë, ajo ka thënë se takimi ka rëndësi të madhe për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në ditën kur është nisur drejt Belgjikës, Jahjaga ka thënë se nuk po shkon atje për të dialoguar me palën serbe duke e cilësuar takimin si simbolik.

“Ky nuk është dialog, por është takim zyrtar i presidentëve të të dyja vendeve, të dy shteteve që janë të pavarura dhe fqinje...Është takim simbolik dhe është i rëndësishëm, sepse për të parën herë takohen Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Presidenti i Republikës së Serbisë”, ka thënë Jahjaga, në një intervistë për REL.

Jahjaga ka thënë se po shkon atje për t’i dhënë mbështetje dialogut që ka nisur në nëntor mes Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

“Ne do t’i japim mbështetje procesit të deritashëm të dialogut, që po udhëhiqet nga kryeministrat e të dyja vendeve tona, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian dhe po përkrahet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ajo.

Por Presidentja më pas ka dhënë edhe një vlerësim kontradiktor duke thënë se në takim do të synohet një zgjidhje për të gjitha çështjet, duke lënë të kuptohet në këtë mënyrë se me Presidentin serb do të ketë edhe negociata.

“Takimi ka për synim që në pajtim të plotë dhe duke respektuar normat dhe standardet europiane, e gjithashtu edhe konventat ndërkombëtare, të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet”, ka thënë ajo.

Takimi i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë po ndodh pas dialogut të zhvilluar mes dy kryeministrave – Thaci e Dacic, të cilët kanë arritur disa marrëveshje.

Ditë më parë, Nikolic anuloi vizitën në Gjermani për shkak të pjesëmarrjes së Jahjagës.

Jahjaga ka komentuar edhe më tej duke thënë se me Nikolicin do të bisedojë parimisht për përmirësimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Do të bisedohet parimisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka thënë ajo.

Jahjaga ka thënë se në takim do të bisedojë edhe për marrëveshjet e arritura me Serbinë.

“Do të bisedohet parimisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Për nevojën e vazhdimit të dialogut, për arritjen e marrëveshjes për të gjitha çështjet dhe për zbatimin e përpiktë të këtyre marrëveshjeve, të cilat edhe janë në dobi të të gjithë qytetarëve të të dyja shteteve dhe që janë në funksion të fqinjësisë së mirë, të paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka shtuar ajo.

Presidentja Jahjaga i ka dhënë mbështetje dialogut me Serbinë dhe ka thënë se deri më tash asnjë marrëveshje që është bërë mes Hashim Thaçit dhe Ivica Dacicit nuk e dëmton Kosovën.

Madje, as Fondi i Veçantë për Veriun.

“E keni parë se deri më tash nuk është bërë asnjë kompromis që dëmton interesat e vendit dhe qytetarëve tanë. Të gjitha zgjidhjet janë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, në BE nuk kanë dashur japin detaje rreth takimit të dy presidentëve. Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së BE’së për Politikë të Jashtme, Catherin Ashton, ka konfirmuar se takimi do të ndodhë mes dy presidentëve. Por, paraprakisht do të ketë takime të veçanta të Jahjagës dhe Nikolicit me Ashtonin.

“Takimi do të ndodhë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve. Përfaqësuesja e Lartë e BE’së do t’i takojë ata ndaras dhe më pas edhe së bashku. Pas takimit do të lëshojmë një komunikatë”, ka thënë Kocijancic për Express.

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.