Raporti i SOROS, reagon MASH: Trillim fund e krye

“Në studim s’jepet asnjë fakt konkret”
Kristiqi: Hedhim poshtë me neveri akuzat. Mos ndoshta “anonim” quajnë votimin e fshehtë?
Shpresa Mezini
Publikimi i raportit të fundit të SOROS, ku thuhet se procesi i altertekstit dhe maturës shtetërore është i dështuar, ka nxitur reagimin e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, që e cilësojnë trillim nga fillimi në fund çdo konkluzion të nxjerrë në këtë studim. Në raport thuhet se është anketuar një grup relativisht i konsiderueshëm nxënësish, mësuesish, prindërish dhe drejtuesish të shkollave në lidhje me altertekstin, që sipas tij është proces anonim, për shkak se nuk dihet se cilët janë anëtarët e komisionit që përzgjedhin tekstet. Ndërsa nuk mungojnë edhe akuzat për cilësinë e provimeve të maturës, duke nisur nga orët konsultative, që sipas tyre nuk janë efikase, për rrjedhojë nxënësit marrin mësime private, për të përfunduar tek skema e vlerësimit, që shpesh nuk korrespondon me formulën e zbardhur në sajtin zyrtar të MASH-it.
Ka mjaftuar zbardhja e këtij raporti, që drejtori i arsimit parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu dhe këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, të sqarojnë për gazetën “Shqip” argumentet e tyre në lidhje me akuzat që SOROS bën në drejtim të tyre.
Në studim thuhet se përgatitja e ofruar gjatë orëve të mësimit nuk u ka mjaftuar ish-maturantëve, pasi më shumë se gjysma (55%) e të anketuarve shprehen se për t’u përgatitur për provimet e MSH atyre u është dashur të ndjekin konsulta shtesë. “Ka një urdhër të ministrit Tafaj, që për maturantët të organizohen konsultime për lëndët e detyruara dhe ato me zgjedhje. Në çdo shkollë janë afishuar oraret e konsultimeve dhe mësuesit që organizojnë këtë proces. Maturantët dhe prindërit janë njohur me këtë detyrim që kanë shkollat dhe duhet të kërkonin zbatimin e tyre. Unë e di që këto konsultime, pa pagesë, janë planifikuar dhe organizuar në çdo shkollë. MASH nuk ka pasur asnjë denoncim për mosfunksionim të kësaj veprimtarie. Në raport madje nuk përmendet emri i asnjë shkolle për të bazuar pretendimin në një fakt real. Megjithatë, ne nuk e dimë se cili ka qenë target grupi që është përfshirë në këtë pyetësor, por preferencat e maturantëve nuk mund të imponohen. E rëndësishme është që nëpërmjet atij urdhri, MASH u ka ofruar maturantëve zhvillimin e konsultimeve, në drejtim të përgatitjes për provimet e MSH-së”, shpjegon Fatmir Vejsiu, drejtori i arsimit parauniversitar në MASH.
Ndërsa në lidhje me këshillimin dhe orientimin e karrierës, ku rezulton se 42% e të rinjve pohojnë se janë zhvilluar nga universitetet private, Vejsiu sqaron: “Dihet që universitetet publike janë autonome. MASH i orienton ato për të bërë këtë këshillim, por nuk mund t’i detyrojë. Ka edhe një argument tjetër. Për shembull Fakulteti i Mjekësisë, sot Universiteti Mjekësor, nuk ka shumë nevojë të zhvillojë këtë veprimtari, pasi ka kërkesa më shumë se sa kapacitetet e veta. Këtë veprimtari e zhvillojnë më shumë universitetet publike jashtë Tiranës, kryesisht për drejtimet e studimit që nuk i plotësojnë kuotat. Në raport flitej edhe për pakënaqësinë e maturantëve në lidhje me vlerësimin duke pretenduar se e kanë zgjidhur ushtrimin konform skemës së vlerësimit të publikuar në sajtin zyrtar të MASH-it. Në rastet që unë vetë kam parë, më rezulton se ata maturantë shikojnë vetëm veprimet dhe jo arsyetimin logjik”, tregon drejtori i arsimit parauniversitar. Madje ai argumenton një shembull konkret, një ushtrim në lëndën e matematikës, që sipas tij e penalizon nxënësin në rastet kur përgjigjja është e gabuar, por vetëm me një pikë, jo më shumë se kaq.
“Në ushtrim i kërkohet se për çfarë vlere të ‘a’ funksioni i dhënë është i vazhdueshëm në një pikë të dhënë. Në këtë rast disa maturantë kryejnë veprimet dhe gjejnë një vlerë të ‘a’ (saktë), por në matematikë nuk mund të veprosh pa arsyetim. Në fillim duhen thënë kushtet se kur një funksion është i vazhdueshëm në një pikë (janë tri kushte) dhe më pas bëhen veprimet. Pa më të voglin hezitim, maturanti është penalizuar dhe ky penalizim nuk ka qenë drastik, por me një pikë. Unë solla një shembull, por ka edhe raste të tjera, madje jo vetëm nga matematika”, shton Vejsiu.
Jovan Kristiqi, këshilltar i ministrit të Arsimit, përgjegjës për zhvillimin e procesit të altertekstit në shkolla akuzon ashpër duke e cilësuar raportin e SOROS, si trillim fund e krye.
“Trillim fund e krye, sepse përzgjedhësit e teksteve shkollore janë vetë mësuesit e shkollës që veprojnë sipas një procedure krejtësisht transparente, e shpallur në faqen e MASH në rubrikën ‘Altertekst 2013’, e njohur nga çdo drejtues shkolle, mësues, gazetar, botues apo prind nëse dëshiron. Dokumentacioni i kësaj procedure ruhet në drejtorinë e shkollës për dy vjet, ku të interesuarit kanë akses në secilën prej 2000 shkollave të Republikës së Shqipërisë në çdo moment kohe. Ky dokumentacion i përzgjedhjes së teksteve shkollore kontrollohet nga Inspektorati Kombëtar i Arsimit dhe bëhet objekt i ndjekjes penale nëse është vënë dorë mbi të”, thotë Kristiqi.
Sipas tij, në të gjitha shkollat, përzgjedhja e teksteve shkollore, (jo librave të fëmijëve siç thuhet në raportin e SOROS), është bërë në datat 29 dhe 30 prill, pas një periudhe njëmujore për leximin e alternativave nga ana e mësuesve. Votimi teksteve është bërë në prani të përfaqësuesve të prindërve, i fshehtë dhe i gjithë dokumentacioni me firmat e mësuesve është i hapur për çdo investigim të mundshëm.
“Ndoshta SOROS quan “anonim”, votimin e fshehtë?! Nuk kemi dijeni për këtë raport të SOROS që qenka zhvilluar tani, që paska pyetur mësues dhe që ata i janë përgjigjur që nuk kemi dijeni se çfarë tekstesh shkollore kanë zgjedhur për vitin e ardhshëm shkollor, kur ata vetë firmosin dokumentacionin përkatës. SOROS duhet ë guxonte të na bënte me dije qoftë edhe emrin e një shkolle të Republikës ku paska ndodhur kjo ngjarje. MASH si dhe masa e mësuesve hedh poshtë me neveri të tilla trillime që përmban i ashtuquajturi raport i SOROS, që ne nuk e disponojmë”, thekson këshilltari i ministrit të Arsimit.
Shqip
Add new comment