Raporti i KiE: Ndërhyrjet politike rëndojnë sistemin gjyqësor

Postuar në 16 Janar, 2014 10:35

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës deklaron se niveli i lartë i korrupsionit në gjyqësor pengon seriozisht funksionimin e duhur të sistemit të drejtësisë. Muižnieks shpreh shqetësimin për rritjen e numrit të rasteve të keqtrajtimit të regjistruara, duke përfshirë torturën dhe kërkon që zyrtarëve të zbatimit të ligjit që kanë kryer akte të paligjshme gjatë dhe pas ngjarjet e 21 janarit 2011, të hetohen urgjentisht me qëllim nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë.

“Niveli i lartë i korrupsionit në gjyqësor pengon seriozisht funksionimin e duhur të sistemit të drejtësisë dhe minon besimin e publikut tek drejtësia dhe sundimi iligjit në Shqipëri. Autoritetet duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për t’u siguruar që të gjitha rastet e korrupsionit në gjyqësor të hetohen në mënyrë efektive dhe të ndiqen penalisht“, ka thënë Nils Muižnieks, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, pas publikimit sot të raportit në vijim të vizitës së tij në Shqipëri më 23 – 27 shtator 2013.

Komisioneri rekomandon depolitizimin në funksionimin e gjyqësorit, duke filluar me forcimin e pavarësisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë e cila siguron integritetin e gjyqësorit shqiptar.

”Anëtarët e këtij këshilli duhet të votohen me shumicë të cilësuar në parlament dhe duhet të ushtrojnë një ndikim më vendimtar në emërimin, promovimin dhe procedimin disiplinor të gjyqtarëve, duke përfshirë edhe ata të Gjykatës së Lartë. Çdo ndërhyrje politike e pavend në funksionimin e gjyqësorit duhet të shmanget. Kjo nënkupton edhe heqjen e përfshirjes së Ministrit të Drejtësisë në procedimet disiplinore të gjyqtarëve“.

Komisioneri ka ftuar autoritetet që të ndërmarrin masat e duhura legjislative, të cilat do të mundësonin votimin dhe miratimin me shumicë të cilësuar në Parlament të Prokurorit të Përgjithshëm, të emëruar nga Presidenti i Republikës.

Ritmi shumë i ngadaltë me të cilin Shqipëria ekzekuton vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, veçanërisht ato që lidhen me moszbatimin e vendimeve të gjykatave të brendshme apo të vendimeve administrative, është një faktor shtesë i cili dobëson shumë sundimin e ligjit në vend.

”Të gjitha vendimet e dhëna nga Gjykata duhet të zbatohen menjëherë, plotësisht dhe në mënyrë të efektshme. Në veçanti, autoritetet duhet të trajtojnë problemin e vazhdueshëm të tejzgjatjes së proceseve gjyqësore dhe duhet të krijojnë një mjet të brendshëm efektiv në këtë drejtim.”

Problemi i kahershëm i keqtrajtimit dhe i pandëshkueshmërisë për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të kryera nga oficerët e zbatimit të ligjit, duke përfshirë ato që lidhen me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit 2011 në Tiranë, vazhdojnë të jetë një shqetësim serioz .

“Jam shumë i shqetësuar nga rritja e numrit të rasteve të keqtrajtimit të regjistruara, duke përfshirë torturën. Është e nevojshme që të gjitha këto raste, së bashku me aktet e raportuara të paligjshme të kryera nga ana e zyrtarëve të zbatimit të ligjit gjatë dhe pas ngjarjet e 21 janarit 2011, të hetohen urgjentisht me qëllim nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë. Që procesi të jetë i besueshëm dhe të ndihmojë në restaurimin e besimit të publikut ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, është e rëndësishme të vendosen dënime të përshtatshme parandaluese për çdo zyrtar të zbatimit të ligjit të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.”

Së fundi, Komisioneri rekomandon përmirësimin e aksesit të personave të ndaluar/arrestuar, duke përfshirë të miturit, në një avokat dhe mjek, duke u siguruar që psikologët janë gjithmonë të pranishëm gjatë procedimeve penale që përfshijnë të mitur. Ai gjithashtu kritikon përdorimin e tepruar të pritjes së vendimit në paraburgim ose gjatë gjykimit, duke rekomanduar përdorimin e kësaj mase vetëm si mjeti i fundit, duke i dhënë prioritet alternativave te tjera ndaj burgimit.

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.