Raporti: 1 në 12 ushtarakë, i ngacmuar seksualisht nga kolegët

Postuar në 25 Korrik, 2013 08:11

Hije dyshimi mbi skandale seksuale edhe në ushtrinë shqiptare. Gjatë një ankete të zhvilluar për të matur vetëvlerësimin gjinor në Forcat e Armatosura, 14 ushatarakë kanë pranuar se gjatë karrierës së tyre janë bërë pre e ngacmimeve seksuale. Raporti është prezantuar dje në Qendrën e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, ku rezultoi se 11 femra dhe 3 meshkuj kanë pranuar ngacmimet seksuale në punë.  Raporti studimor për “Vetëvlerësimin Gjinor në Forcat e Armatosura” është prezantuar znj. Mirela Rrumbullaku, kryetare e grupit të punës dhe është bazuar mbi anketimet në çështje si: dhuna me bazë gjinore, ngacmimet seksuale, diskriminimi në punë.  Anketimit iu përgjigjën gjithsej 170 persona, 83 femra dhe 87 meshkuj, duke përfshirë të gjitha gradat. Në prezantim u bë me dije se 11 femra ushtarake dhe 3 meshkuj kanë pohuar se kanë qenë pre e këtyre ngacmimeve seksuale, të cilat më pas nuk kanë preferuar t’i denoncojnë, pasi nuk kishin besim tek zgjidhja e tyre. Në raport theksohet mungesa e një rregulloreje të brendshme specifike, për të adresuar problemet që lidhen me ngacmimet seksuale brenda Forcave të Armatosura, ku shumica e të anketuarve shprehin mendimin që të tilla ngacmime, më mirë të mos raportohen apo bëhen publike. Zv.ministrja e Mbrojtjes, e pranishme në këtë aktivitet u fokusua tek numri i grave në Ushtri dhe integrimi i tyre në të gjitha nivelet e përfaqësimit. Sipas saj, falë politikave efikase të ministrisë, sot 26% e burime njerëzore në Forcat e Armatosura janë femra. Musaraj deklaroi se janë bërë përparime të rëndësishme në përfaqësimin e femrave në funksione treguese vendimmarrëse, ku sipas saj, nga 9% që ka qenë në vitin 2011, tani kemi 15% femra në këto funksione.“Mund të themi me krenari se kemi një përfaqësim të denjë të tyre në misione dhe në përfaqësitë tona ushtarake jashtë vendit. Me përmbushjen e këtij procesi, Shqipëria bëhet vendi i dytë anëtar i NATO pas Holandës, që realizon suksesshëm këtë arritje. Kjo është një dëshmi më shumë e maturisë dhe e kompetencës së fituar, e Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare, si anëtare e denjë e NATO dhe e standardeve të arritura prej saj përmes një menaxhimi efektiv dhe efiçent të resurseve të veta”, -ka nënvizuar Musaraj. Projektit studimor për “Vetëvlerësimin Gjinor në Forcat e Armatosura” është realizuar me mbështetjen dhe bashkëpunimin e UN Women dhe “Qendrës për Kontrollin Demokratik në Forcat e Armatosura”.  Realizimi i këtij projekti dhe finalizimi me një raport përfundimtar ka shërbyer si një instrument për të matur përgjegjshmërinë dhe rezultatet në fushën e barazisë gjinore, parë në këndvështrimin e të drejtave të individit, femra dhe meshkuj, dhe do të shërbejë si një bazë fillestare për diskutime dhe planifikime të mëtejshme politikash.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.