Rama:Berisha mashtroi për legalizimet. Flet për bllokmenët, por bëri vetë xhiro me varkën e bllokut

Kryetari socialist Edi Rama është ndalur në Komunën e Kasharit ku ka zhvilluar një takim me banorët, të cilëve u bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 23 Qershorit. “Gjithkush duhet të bëjë në këto zgjedhje detyrën e tij patriotike dhe të votojë, dhe mos të shkojë vetëm por edhe me një tjetër që nuk ka votuar herën e kaluar”,- tha Rama.
Kreu i opozitës i është rikthyer sërish sot çështjes së legalizimit të banesave dhe ka akuzuar Berishën se kujtohet t`i kthehet premtimit të legalizimeve sa herë ka fushatë, por asnjëherë nuk e ka mbyllur problemin e banorëve.
“Berisha i kthehet premtimit të legalizimeve sa herë ka fushatë, por asnjëherë nuk e ka mbyllur problemin e banorëve. Kanë qenë 250 mijë, janë bërë 400 mijë. Jane 8% Shaban tapi që nuk i duhen dreqit, në hipotekë tapi janë më pak se 5%” .- tha Rama.
Rama i është përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit se alternativa e PS-së është ajo e rikthimit të neobllokmenëve në pushtet duke thënë se : “Ai ka bërë xhiro me varkën e bllokut e flet për bllokmenë, ai xhiro me varkën e bllokut e flet për NATO-n, sikur e themeloi ai NATO-n, ai 25 vjet sekretar partie ka bërë luftë me NATO-n” ,-tha Rama.
Ai i është përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit Berisha për taksat, duke theksuar se Partia Socialiste nuk ka thënë kurrë që do të heqë taksat, por do të heqë taksën e sheshtë dhe uljen e taksave për 95% të shqiptarëve.
“Nuk themi do i heqim taksat, por do i ulim taksat për 95% të shqiptarëve, e kush u thotë të kundërtën, është një personazh që e merr popullin për budalla dhe kërkon ta budallallepsi sa të mundet, duke treguar përralla me gogol dhe duke u përpjekur ta bëjë gogol opozitën, ai ka frikë nga gogoli por këtë frikë s’mund ta fusë në shpirtin e popullit, se populli e vuan politikën e taksës së sheshtë”,- tha Rama.
SHQIP
Add new comment