Rama zyrtarisht kryeministër, sot ministrat

Postuar në 11 Shtator, 2013 03:09

Suela Topi

 

-Edi Rama, zyrtarisht Kryeministër i vendit. Vetë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dorëzoi kreut të zgjedhur të Ekzekutivit dekretin që e mandaton atë të krijojë Qeverinë e re. Ashtu siç ishte njoftuar nga Presidenca, kryeministri i zgjedhur nga vota e shqiptarëve në 23 qershor ishte në zyrën e Nishanit në orën 10:00. Në takimin 30 minutësh mes tyre Nishani i ka dorëzuar Ramës dekretin me dy nene ku thuhet se: “Zoti Edi Rama emërohet kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe se ky dekret hyn në fuqi menjëherë”. Në njoftimin zyrtar të Presidencës thuhet se pas propozimit të paraqitur nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, Presidenti i dekretoi emërimin e Ramës si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe e ngarkoi atë me formimin e qeverisë së re. “Gjatë takimit Presidenti Nishani i uroi zotit Rama punë të mbarë në detyrën e tij. Të dy bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të njëjta për vijimësinë e bashkëpunimit institucional”, - sqaron më tej Presidenca. Dekreti zyrtar është bërë publik dhe nga vetë Rama nëpërmjet rrjetit social Facebook. Në një sfond të purpurt, ai ka publikuar dekretin e firmosur nga Kreu i Shtetit. Mësohet se pas takimit mes tyre në zyrën e Nishanit kanë mbërritur dhe emrat e kabinetit të ri qeveritar. Pas Nishanit është Kuvendi ai që do të japë votëbesimin për qeverinë e re dhe programin e saj. Seanca për të zbatuar këtë procedurë është lënë për paraditen e sotme. Kushtetuta përcakton qartë procedurën ligjore për formimin e ekzekutivit. Në nenin 96 të ligjit themelor të shtetit thuhet se “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”. Mbi këtë bazë ligjore, partia ose koalicioni fitues duhet t’i propozojë kreut të shtetit emrin e kryeministrit të ri, tashmë të përcaktuar, Edi Rama. Pas këtij veprimi, emri i kryeministrit duhet të kalojë provën në Kuvend, së bashku me programin politik dhe votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emrat e ministrave, që pritet të ndodhë në seancën e sotme. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, - thuhet në nenin 97 të Kushtetutës.

SHEKULLI

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.