Rama takon Blair dhe Presidentin e BB: Strukturë e posaçme për prioritetet e Shqipërisë

Postuar në 23 Shtator, 2013 15:34

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës të tij në New York zhvilloi një takim me ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe me Presidentin e Bankës Botërore, Jim Kim. Në këtë takim u diskutuan sfidat dhe prioritetet e qeverisë së re, ndërkohë që sipas Ramës, shumë shpejt do të ngrihet një strukturë e posaçme e arritjes së rezultateve dhe prioriteteve të qeverisë së re shqiptare.

“Është shumë domethënëse që Presidenti i Bankës Botërore është drejtpërdrejtë i interesuar për të mbështetur Shqipërinë falë programit dhe axhendës së qeverisë sonë dhe që së bashku me kryeministrin Blair ne do të vëmë në jetë shumë shpejt një strukturë të posaçme të arritjes së rezultateve dhe të kalimit të çdo pjesë të programit në procesin e realizimit dhe të përkthimit në rezultate. Ky është një moment i rëndësishëm për Bankën Botërore, që me një grup liderësh rreth e rrotull planetit po përpiqet të fusë këtë eksperiencë të re që do të jetë dhe eksperienca e qeverisë së re shqiptare”, tha Rama.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair nga ana e tij e cilësoi të shkëlqyer takimin me kryeministrin Rama dhe theksoi se qeverinë e presin sfida të mëdha për të cilat do të ketë gjithë mbështetjen  e nevojshme.

“Patëm një takim të shkëlqyer sot me Kryeministrin Rama dhe me Bankën Botërore për të parë sesi mund ta ndihmojmë qeverinë e re shqiptare për të sjellë ndryshimin që duan të shohin njerëzit në Shqipëri. Vendin e presin sfida të mëdha dhe ka shumë punë për të bërë. Kryeministri ka një program shumë energjik dhe të vendosur dhe mendoj se fakti që Presidenti i Bankës Botërore ka ardhur për ta takuar atë dhe për t’i thënë se kemi për t’i dhënë mbështetjen tonë të plotë Shqipërisë, na jep shpresë dhe diçka me të cilën mund të punojmë në të ardhmen. Mendoj se takimi ishte i shkëlqyer, konstruktiv, shumë i rëndësishëm”, deklaroi Blair.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.