Rama, takim informal me Thaçin në Prizren

Kryeministri i ri i zgjedhur, Edi Rama, i shoqëruar dhe nga ministri i ri i Jashtëm, Ditmir Bushati, zhvilloi dje një takim informal në Prizren me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ky takim u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes së Ramës në ‘Dokufest’ një festival i rëndësishëm ndërkombëtar i filmit dhe fotografisë që mbahet çdo vit në Kosovë. Përmes rrjeteve sociale, Rama shpërndau fotografinë ku ai qëndronte në një tryezë me Thaçin dhe po kështu me drejtuesin e këtij festivali. Kryeministri i ri nuk harroi të premtonte se ky festival vitin e ardhshëm do të mbështetej dhe nga qeveria e Shqipërisë në kuadër të mbështetjes së aktiviteteve kulturore në të dyja anët e kufirit. “Me Vetonin, drejtorin e “Dokufest” Prizren, festival i shkëlqyer ndërkombëtar për filmin dhe fotografinë që është një leksion për t’u marrë. Vitin tjetër dhe qeveria e Shqipërisë do të mbështesë ‘Dokufest’ në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës”, shkruan Rama në rrjetet sociale në lidhje me vizitën e tij në Prizren.
Me pas Rama komentoi dhe me homologun e tij kosovar. ” Në Prizren me kryeministrin Thaçi me kolegë e miq, brenda kornizës së mrekullueshme të Dokufest, një aktivitet kulturor me përmasë europiane që vitin tjetër do mbështetet edhe nga qeveria e Shqipërisë. Një kalendar i përbashkët vjetor ngjarjesh kulturore do të jetë një nga risitë e mëdha të bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare”, shkruan Rama
DITA
Add new comment