Rama: Të ndalim rrënimin

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, u zhvendos të shtunën në qytetin e Sarandës, ku në një takim me qytetarët sarandiotë, kërkoi votën masive për “të ndalur rënimin dhe mundësuar Rilindjen e Shqipërisë”.
“Jam këtu për të thënë disa të vërteta të thjeshta. Deti juaj ja ku është, por ku është Shqipëria, ajo është shumë më keq se katër vjet më parë”, tha gjatë fjalës së tij kryesocialisti Rama.
“E prandaj jam këtu për t’iu prezantuar këtë skuadër të Rilindjes, e cila përfaqëson të gjithë qytetarët. Kjo është ajo skuadër që do të ndalë rënimin e familjeve nga taksa e sheshtë, kjo është ajo skuadër që i përfaqëson të gjithë qytetarët, që do të rikthejë taksimin e ndershëm e nuk do t’i thotë qytetarëve që nëse nuk kanë lekë nuk duhet të sëmuren”, shtoi Rama.
Ndërsa mbrojti programin e tij të punësimit dhe reformën fiskale që do të ndërmarrë, lideri i opozitës gjeti një dallim të qartë mes dy kampeve: “Ne zotohemi që do të bëjmë atë që premtojmë, prandaj dhe ky është programi elektoral më i detajuar ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve shqiptare”.
Në fund të fjalës së tij, Rama kishte edhe një mesazh: “Në 23 qershor, mos ejani vetëm në kutitë e votimit, merrni me vete një familjar a të afërm që nuk ka votuar kurrë, sepse vetëm me fuqinë e votës mund të ndalim këtë rrënim të Shqipërisë”.
TOP CHANNEL
Add new comment