Rama: Të çlirojmë vendin nga varfëria

Postuar në 17 Qershor, 2013 07:22

Duke folur nga Librazhdi, në takimin përmbyllës të fushatës në këtë zonë të Shqipërisë, kreu socialist theksoi se më 23 qershor, shqiptarët duhet të votojnë PS për të çliruar vendin nga varfëria, nga pasiguria dhe nga pushteti i Kryeministrit Sali Berisha. 

"Votoni numrin 29 që Qeverinë ta keni në krah. Ju premtoj se ne do të jemi zëri juaj, fuqia e shpresave tuaja, do të jemi aleatët tuaj besnikë në përpjekje për të zgjidhur hallet dhe problemet e panumërta që keni", tha Rama.

Kryesocialisti premtoi se do të ketë Rilindje të Librazhdit, do të ulen çmimet e ushqimeve, do të ulen taksat, do të përmirësohet jeta e banorëve, do të legalizohen ndërtesat informale, do të jepen certifikatat e pronësisë së tokës. 

Rama: Të dalim nga tuneli 

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në mitingun përmbyllës në Peqin, i ftoi banorët e kësaj zone, por edhe të gjithë Shqipërisë që me votën e tyre të nxjerrin vendin nga tuneli i mungesës së shpresës. 

"Modeli i Partisë Socialiste është ai i zhvillimit të vendit. Prania juaj e shumtë në numër këtu tregon se mbështesni rilindjen", tha Rama.

Kryesocialisti Rama u kërkoi qytetarëve të refuzojnë blerjen e votës dhe të përqafojnë ëndrrën e rilindjes.

“Refuzojini me përbuzje ata që ju trokasin tek dera për të blerë me miell, për të blerë me euro, për të blerë me kalljen e frikës 4 vitet e tjera mbi kurrizin tuaj. E pra hiqini ata nga kurrizi flakini dhe përqafoni ëndrrën e rilindjes duke shkuar në 23 qershor dhe duke vendosur fundin e rrënimit dhe fillimin e rilindjes. Ne ju zotohemi se me votën tuaj te numri 29, ju do të çliroheni nga një zgjedhës varfëruese dhe poshtëruese dhe do të na keni në krah në të mirë dhe në të keq. Do të jemi me ju, hallet tuaja do të jenë tonat, përpjekjet tuaja do të jenë të përbashkëta. Rilindje” shtoi Rama

Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.