Rama: Shqipëria u përmbyt nga reshjet, populli u mbyt nga gënjeshtrat e Saliut

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një kënd fjale me banorët e Klosit, ai ka thënë se fajin për gjithçka që është shkatërruar e ka Saliu dhe jo opozita. Më tej u shpreh se kryeministri i ka hedhur hi syve të popullit duke ndërtuar rrugë që prishen brenda vitit dhe atje investohen miliarda lek.
“Pse nuk e ndërtoi PD Rrugën e Arbrit? Ajo që është bërë, është sa për t’i hedhur hi syve popullit, sa për të shkatërruar një pjesë të mjedisit dhe pasurisë natyrore. Ajo që mund t’ju them është që ne do ta bëjmë Rrugën e Arbrit dhe jo vetëm atë, por të gjitha rrugët që ne do të ndërtojmë do të jenë ndryshe nga rrugët që ndërtojnë këta që kanë ngelur rrugëve. Dhe aty ku kanë derdhur miliarda rrugët janë për faqe të zezë. Kur kam diskutuar me njerëzit për të ndërtuar këtë skuadër të rilindjes. Me Shkëlqim Canin kemi kohë që njihemi, më ka mbështetur vazhdimisht me këshilla dhe punë konkrete për çështje që lidhen me ekonominë dhe financat. Kur i kam thënë kam dëshirë të përfshihesh drejtpërdrejt në qarkun e Dibrës më ka thënë mund ta pranoj vetëm nëse plotësohet një kusht, Rruga e Arbrit. Ky është një projekt kombëtar, është një projekt shumë i rëndësishëm për ju dhe Shqipërinë. Është një projekt që nuk shkurton thjesht lëvizjen por garanton zhvillim për një territor të tërë. Për në hyn tek projektet strategjike që ne do ta çojmë përpara me shumë vullnet”, theksoi kreu i PS-së.
Rama mes ankesave të banorëve ka thënë se ai nuk tregon përralla, por bën premtime reale. Sipas krut të opozitës për përralla është gjyshi me antiplumb.
“Unë nuk di të tregoj përralla, e kam shumë problem. Po të doni përralla për të rritur është njëri që i tregon. Ma tha bukur një plak në Shkodër, ky tha mirë që na përmbyti me ujë por na mbyti me rrena dhe ne s’kemi për t’u tharë kurrë. Në Elbasan kishte thënë një të madhe shumë, sa të ndërtojmë hekurudhat do ta çojmë trenin deri në Pekin. Çështja e pazarit dhe çështje të tjera të natyrës lokale janë shumë të rëndësishme”.
“Shikoni çmimet në pazar, shikoni sa blini me po ato lekë në krahasim me vite më parë dhe e nxirrni konkluzionin kollaj. Rruga është komplet e mbyllur dhe mund ta hapni vetëm me votën e 23 qershorit. Është votë për të ndarë nëse Shqipëria do të shkojë në rrënim të plotë, apo do rilindë. Nuk flasim për gjëra të mëdha, ose më saktë flasim për gjëra të mëdha por që janë të thjeshta. Po ju marr vetëm një gjë, ju jeni pa punë, duke qenë pa punë jeni të pasiguruar nga ana shëndetësore. Nëse sëmundja bie tek ndonjëri nga ju, nuk shkoni dot në spital, sepse Saliu e ka sistemin të ndërtuar, kush s’ka lekë nuk duhet të sëmuret. Çfarë bëjnë njerëzit, shesin shtëpinë, marrin borxh, për të mbajtur në jetë njerëzit e dashur. Për çfarë i themi vetes në Shqipëri europiane, Shqipëri në NATO, që jemi popull me tradita e nuk e lemë njëri- tjetrin në baltë. Ne do ta ndryshojmë skemën, do ta kthejmë përmbys, do ta bëjmë falas shëndetësinë. S’ka rëndësi a je në punë apo jo, nëse sëmuresh dera e spitalit do të hapet, doktori nuk do të shikojë nga xhepat dhe do kujdeset për ty. Përralla nuk ju tregoj, Shqipëria apo Klosi nuk do bëhet Zvicër për 4 vjet, por pas katër vjetësh këtu do jemi prapë dhe shëndetësia do jetë falas. Në shkop magjik nuk kemi. Por këtij vendi zoti dhe natyra i kanë falur gjithçka që të jetojë në kushte normale. Të vuajë për bukë, për punë, për shërbime minimale, kjo nuk shkon. Për këtë arsye secili që ka votën në dorë duhet ta marrë këtë përgjegjësi. Nuk mund të vazhdohet më kështu. Po shkojmë drejt BE-së po çfarë do të jenë fëmijët tanë në BE, qytetarë të barabartë apo hyzmeqarë. Ndryshimi më i madh mes nesh dhe atyre, unë PD-në e quaj pasuri kombëtare, por PD sot është kthyer në familje oborrtarësh, ata ju shohin si zgjedhës, ne ju shohim si njerëz”, theksoi Rama.
Ndërsa një qytetar i kësaj zone është shprehur i zhgënjyer nga ky sistem. Ai se, “unë kam pritur me pushkë Sali Berishën, por ka kohë që i jam bashkuar mendimit tuaj, alternativës tuaj. Dy herë kam votuar për PS dhe të tjerat për PD. Në vitin ‘94 kam hedhur me dorën time 30 vota. Një nga gjërat më shkatërrimtare që ka bërë Saliu është procesi zgjedhor. Mbi kurrizin tim po ndjej rrënimin ekonomik. Unë jam specialist bujqësie dhe mësues, jam edhe fermer kam edhe vreshta dhe sot jam më keq se gjithë këta. Sot në Shqipëri kush punon humb. Kërkesat e mia i keni paraqit në program. Program me të mirë se sa të mbështetet tek toka, program më të mirë nuk ka”.
Në fund të fjalës së tij Rama u shpreh optimist se, “era e rilindjes paska fry fort edhe këtu, të paktën një demokrat të madh e paska marrë me vete. Shpresoj shumë që në 23 qershor me numrin 29 të çlirimit ta çlironi edhe Klosin se e keni shtëngu shumë me thënë të drejtën”.
SHEKULLI

Add new comment