Rama: Shpenzimet buxhetore do të quhen kur ndodhin, jo kur jepen

Reforma në raportimin financiar të sektorit publik është prezantuar dje nga kryeministri i zgjedhur Edi Rama, online, në ëeb-in e PS. Standarde të reja raportimi që do të mbrohen me ligj. Publikimi i shifrave pas auditimit ndërkombëtar
Në muajin shtator, me ardhjen e qeverisë së re në pushtet standardet e raportimit të buxhetit do të ndryshojnë kryekëput duke anuar më shumë nga buxheti real se ai i programuar. Një shembull: qeveria aktuale i llogarit të ardhurat në buxhet kur i merr dhe shpenzimet kur i paguan. Ndërsa me standardet e reja të raportimit, të ardhurat do të raportohen kur ndodhin dhe shpenzimet kur ndodhin. Reforma në raportimin financiar të sektorit publik është prezantuar dje nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, dhe pritet të aplikohet që nga viti që vjen e do të përfshijë edhe zbatimin e buxhetit të këtij viti.
Katër hapat
Raportimi i financave publike do të bëhet duke marrë në konsideratë katër hapa. I pari do të bëjë verifikimin dhe analizën. I dyti, reformën ligjore dhe administrative. I treti, raportimin financiar sipas standardeve ndërkombëtare. I katërti, auditim i jashtëm i pasqyrave financiare të qeverisë. Tre të parët në fakt ngjajnë të zakonshëm për çdo qeverisje të re, por në këtë rast risi mbetet auditimi ndërkombëtar që Rama e ka shpallur si hap të parë për reformën financiare në tërësi. Transparenca e parave publike do të synojë fillimisht në një analizë të përgjithshme të strukturës. Projekti i PS parashikon një analizë dhe përshkrim të nivelit aktual të raportimit financiar përmes institucioneve qeveritare nga ato të nivelit më të ulët deri te niveli i ministrive. Do të bëhet analizë dhe verifikim i gjendjes pasurore të qeverisë dhe enteve të kontrolluara prej saj. Analizë dhe verifikim në lidhje me kontratat më të mëdha të shërbimit dhe të punëve publike që janë në progres për të parë shpenzimet reale. Do të bëhet analizë e nevojave për raportim financiar përmes anketës apo intervistave me palët që janë përdoruese të informacionit financiar në sektorin publik. Do të bëhet analizë e sistemeve të informacionit që përdoren aktualisht nga qeveria shqiptare për të regjistruar transaksionet me fondet publike dhe për të gjeneruar raporte financiare.
Ndryshimet
Për të realizuar një transparencë maksimale me taksat e shqiptarëve, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama ka premtuar se do të çojë në parlament një projektligj të ri që rregullon raportimin financiar të enteve publike duke përdorur standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin publik. SNKSP (IPSAS). Pra standardet ndërkombëtare nuk do të jenë në mëshirë të udhëzimeve që lëshojnë institucionet, por do të jenë të detyrueshme me ligj. Më këtë ndryshim në ligj synohet raportimi me shkallë sipas institucioneve. Rama tha se ligji duhet të përcaktojë dhe detyrimin e auditimit të këtyre pasqyrave financiare të paktën në nivelin më të lartë të konsolidimit, atë të ministrisë. E gjitha kjo do të shoqërohet edhe me një reformë në administratë, e cila duhet t’u përgjigjet standardeve të reja, përcakton projekti i PS. Reforma e transparencës kërkon zhvillimin e udhëzuesve të raportimit, përkthimin e metodologjive për referencë nga përdoruesit, implementimin e softwer-eve të rinj apo azhornimin e softwer-eve ekzistues që të mundësojnë raportimin e ri.
Mënyra e re e raportimit
- Pasqyra e pozicionit financiar (Asete / Detyrime)
- Pasqyra e performancës financiare (Të Ardhura / Shpenzime)
- Pasqyra e ndryshimit në Kapital
- Pasqyra e lëvizjes së parasë (Inkasimet / pagesat)
- Pasqyra e krahasimit me buxhetin (nëse kërkohet: buxhet vs aktual)
- Shënimet përkatëse plotësuese (politika kontabël dhe shënime shpjeguese)
Mënyra e re e auditimit
- Auditim i jashtëm, i pavarur nga kompanitë big
- Auditim i kryer sipas Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit (ISA)
- Auditohen pasqyrat e përgatitura dhe konsoliduara në nivel ministrie
- Pasqyrat financiare të audituara botohen për efekt transparencë.
Ministritë marrin dhe raport shtesë (letra ndaj drejtuesve) që përmbledh gjetje të tjera mbi sistemet e kontrollit të brendshëm, riskun etj.
MAPO
Add new comment