Rama shpall prioritet rrugën e Arbrit, sfidon skeptikët e Shëndetësisë falas

Kryeministri Edi Rama premtoi dje në Parlament se do të mbikëqyrë vetë zbatimin e planit për legalizim falas, se toka ebukës do të jepet në bazë të ligjit 7501, shërbimi shëndetësor do të ofrohet falas dhe sipërmarrësit e vegjël do të lehtësohen nga barra fiskale. Prioriteti i tij në infrastrukturë është rruga e Arbrit. Në fjalimin e tij të gjatë në Parlament, Rama lexoi një version më të pasur në leksik të Programit të shpërndarë një ditë më parë nga PS. “Çfarë 7501-shi e jep për tokën e bukës prej gati çerek shekulli dhe burrat po bëhen pleq pa e marrë, ndërsa fëmijët po bëhen burra pa e besuar se do ta marrin ndonjëherë, prandaj marrin arratinë për të punuar në dhe të huaj, ne do ta japim në bazë të 7501-shit dhe pikë”,- tha Rama, duke shtuar më pas se zbatimi i 7501 nuk do të jetë zgjatja e kalvarit për pronarët. Ai përsëriti premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të reja pune pa shpjeguar se si, përveç bindjes së tij se 4 vite më pas, Shqipëria do të jetë hapësirë e punësimit real dhe jo tunel i papunësisë. “Jemi zotuar se vota për ne do të ishte fillimi i një kapitulli të ri të taksimit të ndershëm dhe fundi i kapitullit të vjetër të taksës së sheshtë. Sot ju siguroj se kështu do të jetë. Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak. Mësuesi – Mjeku – Polici do të jenë tri figurat kyçe të rimëkëmbjes së shtetit në katër vitet e ardhshme dhe do të përfitojnë nga taksimi i ndershëm”,-tha më tej Rama. Ai tha me gojën plot se pas 4 vitesh, do të jenë ulur taksat e 95 % të shqiptarëve e në këtë plan do të ecet hap pas hapi. Pasi premtoi një klimë më të mirë për biznesin dhe transformim të shërbimit doganor dhe tatimor, Rama tha se: “doganierët e Shqipërisë nuk do të jenë më ushtria e partisë”. Në pikë e shumëdiskutuar e programit, ajo e reformës në Shëndetësi është artikuluar edhe në Kuvend nga Rama. “Shëndetësia falas nuk është një sadaka që bie nga qielli, po një e mirë publike që i ofrohet çdo njeriu në nevojë për kujdes shëndetësor – falë shtetit që nuk e ngre fondin për shëndetësinë me sigurime po në rrugë alternative. Sigurisht që shëndetësia kushton, pyetja është kush paguan. Dhe përgjigjja është jo ata që s’kanë, po e gjithë shoqëria për këdo që ka nevojë”,-tha Rama. Ai madje sfidoi skeptikët, duke i ftuar pas 4 vitesh në sheshin e spitalit “Nënë Tereza” për të parë rezultatet. Nga ana tjetër, Rama premtoi çlirim të arsimit nga politizimi, reformë të teksteve dhe Maturës Shtetërore dhe edukim përmes kulturës dhe sportit. “Financimi ynë për arsimin e lartë do të bazohet në rezultate, jo në dogmat e socializmit të vjetër apo të fanatizmit të tregut”,-tha ai. Edhe pse i ndërgjegjshëm për situatën e rëndë ekonomike, Rama tha dje në Kuvend se nuk do të ulë pritshmëritë e askujt, duke ofruar si garanci kabinetin qeverisës. Rama mikpret misionin e FMN-së dhe Bankës Botërore, por nuk e sheh domosdoshmëri firmosjen e një programi me të. Ai u ndal më pas tek situata e rendit dhe e pasigurisë në vend. “Shqyhen ngado kodra, priten përnatë pyje, zhvaten pa pushim lumenj, po bie Kruja, por tretet Gjirokastra, po rrënohet Berati, si në një makth pambarim. Ky makth do të mbarojë. Ne do ta rikthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës dhe do të hapim një luftë pa asnjë prehje, kundër krimit ndaj individit dhe pronës”,-tha ai.
Projektet kyçe
1 Projektin e zhvillimit në infrastrukturë, duke nisur nga Rruga e Arbrit si prioritet…
2 Projektin e zhvillimit të qëndrueshëm energjetik dhe planet për rimarrjen e kontrollit mbi pasuritë nëntokësore….
3 Projektin e inventarizimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore që po zhduket para syve tanë, si edhe planin e reformës së institucioneve të kulturës;
4 Projektin e çlirimit të Radio Televizionit Shqiptar nga regjimi 20-vjeçar i një propagande politike…
5 Projektin e reformimit rrënjësor të skemës së ndihmës ekonomike në funksion të integrimit social përmes punës;
6 Statusin e veçantë të disa kategorive sociale të parashikuara në program: planin e dëmshpërblimit për të përndjekurit, të rivendosjes në vend të dinjitetit të veteranit e ushtarakut, rikthimin e të drejtave ligjore të personave me aftësi të kufizuar.
MAPO
Add new comment