Rama: P/rezolutë alternative për çështjen came. Koha e nacionalizmave, e shkuar

Postuar në 08 Prill, 2013 09:53

 

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka deklaruar sot se i duhet dhënë fund një heshtjeje hipokrite për çështjen çame, sikurse i duhet dhënë fund edhe qasjeve të nacionalizmit primitiv. Në një deklaratë për mediat, kryesocialisti Rama ka folur për çështjen çame dhe përfshirjen e saj në programin për rilindje të kësaj force politike.

“Mendojmë se është koha për të parë përpara. Koha e nacionalizmave dhe ekstremizmave që kanë dominuar në rajon është e shkuar dhe ne sot propozojmë hedhjen e një hapi tjetër në emër të së ardhmes. Ne propozojmë një projektrezolutë alternative për çështjen çame”, tha Rama.

Kreu i PS-së theksoi se çështja çame është një çështje politike dhe duhet adresuar në përputhje me normal ndërkombëtare, ndërsa shtoi se njëkohësisht kjo çështje duhet t’i vlejë fqinjësisë së mirë, për interes të përbashkët.

“Kjo projektrezolutë alternative, në këndvështrimin tonë e adreson këtë çështje duke e nxjerrë nga një inerci jo fort e denjë për politikën shqiptare në gjithë këto vite dhe duke e çminuar terrenin e një konflikti të paarsyeshëm mes forcash politike të këtij vendi, që kanë interesin e lartë të përfaqësimit të bashkësive të ndryshme, duke bërë kësisoj që kjo çështje të mos ushqeje me mllef e urrejtje, por t’i vlejë fqinjësisë së mirë. Ne e konsiderojmë çështjen çame një çështje politike për t’u trajtuar mes dy vendeve duhet të përfshihet në axhendën politike të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. I kërkojmë Këshillit të Ministrave që të raportojë dy herë në vit në Kuvend për ecurinë e çështjes çame”, tha Rama.

Drafti i PS-së për çështjen çame

“Duke u mbështetur në parimet bazë që udhëheqin vizionin tonë për një Shqipëri Europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare; normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare; të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet kombeve; të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të fqinjësisë së mirë; bashkëpunimit rajonal, dhe solidaritetit ndërkombëtar;

Duke vlerësuar se Shqipëria Europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare ka në qendër të misionit të saj adresimin e çështjes kombëtare, mbrojtjen e interesave kombëtare, të pavarësisë, lirisë e të sovranitetit të vendit, parandalimin e konflikteve dhe kontributin për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë;

Duke e konsideruar të paçmuar mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në proceset e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve tona, dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat si dy vende fqinjë dhe aleate në strukturat euro-atlantike;

Duke njohur rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në funksion të adresimit të çështjeve me interes të ndërsjellë dhe krijimit të një modeli bashkëpunimi edhe për vendet e tjera të rajonit;

Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan;

Duke u mbështetur në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;

Ne, përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë, e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Për këtë, i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy here ne vit pranë Kuvendit të Shqipërisë, për ecurinë e kësaj çështje.”

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.