Rama prezanton sot kabinetin, ja emrat e sigurt

Postuar në 31 Korrik, 2013 02:53

Kryeministri Edi Rama pritet që të publikojë sot rreth orës 11 anëtarët e  kabinetit qeveritar. Ashtu siç kishte premtuar, kreu i ardhshëm i qeverisë ka vendosur që të shpallë emrat e rinj ditën e fundit të korrikut duke zgjidhur edhe dilemën më të madhe për bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë për katër vitet në vijim. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se pjesën më të madhe të ministrive do ta ketë Partia Socialiste, ndërsa ashtu siç pritej, jo më pak e shpërblyer do të jetë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Do të jenë disa ministra tepër të rëndësishëm që do të drejtohen prej kësaj të fundit, edhe pse Rama ka preferuar që disa prej dikastereve kryesore si shëndetësia, arsimi, rendi,  t’i drejtojë direkt PS-ja, për shkak të  reformave rrënjësore që janë premtuar në këto fusha. I sigurt në krye të Ministrisë së Financave do të jetë Shkëlqim Cani, i cili ka qenë edhe Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Për shkak të kriminalitetit të rritur, Rama ia ka besuar një prej deputetëve të tij më të besuar si Sajmir Tahiri, i cili drejtoi suksesshëm edhe fushatën e kësaj force në Qarkun e Tiranës, do të jetë Ministër i Brendshëm.  Diplomacia do t’i besohet ish-kryetarit të Komisionit parlamentar të Integrimit në legjislaturën e kaluar, Ditmir Bushati, i cili është parë pas zgjedhjeve të 23 qershorit që të shoqërojë kryetarin Edi Rama në turin e  tij të takimeve me liderët e Europës. Ndërsa Ministria e Integrimit do të drejtohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Klajda Gjosha do të udhëheqë procesin e integrimit të vendit në bisedimet me Bashkimin Europian. Deputeti i porsazgjedhur në Partinë Socialiste, Erjon Veliaj, do të drejtojë Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ashtu siç pritej, Milena Harito do të jetë një nga tre ministrat e shtetit. Më konkretisht, deputetja Harito do të jetë ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike.  Ditën e sotme pritet që të zbardhet i plotë i gjithë kabineti i kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, ndërsa pritet që të bëhet publik edhe programi qeverisës i së majtës pas përfundimit të diskutimeve midis grupeve të punës PS-LSI.

Struktura e qeverisë

Organigrama e qeverisë së re do të ketë 16 ministri nga 15 që janë aktualisht, ndërsa janë shtuar edhe tre ministra pa portofol. Qeveria do të ketë një zv/kryeministër që nuk do të ketë asnjë post tjetër. Ministria e Ekonomisë do të ndahet në dy dikastere, atë të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe në Ministrinë e Energjetikës e Industrisë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, pritet të mbulojë sektorët e zhvillimit rajonal, do të mbulojë problematikën e klimës së biznesit, do të mbulojë gjithë detyrimet që burojnë nga marrëveshjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, mbrojtjen e konsumatorit dhe, mbi të gjitha, do të mbulojë marrëdhënien me sipërmarrjen. Ndërsa Ministria e Energjisë dhe Industrisë, pritet që të mbulojë me fokus të plotë projektet e zhvillimit në fushën e energjisë me impakt kombëtar dhe rajonal, si dhe gjithë pjesën që ka të bëjë me pasuritë natyrore, minierat, hidrokarburet dhe industrinë e lehtë. Edhe Ministria e Transporteve do të ndahet në 2, e Transportit dhe Zhvillimit te Infrastrukturës si dhe në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Kabineti i ri do të ketë dhe tre ministra, atë për Inovacionin dhe Administratën Publike, ministrin për Çështjeve Vendore si dhe ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin. Përsa sa i takon Ministrisë se Financave, asaj te Brendshme, te Mbrojtjes, Ministrisë se Jashtme, asaj të Mjedisit, Integrimit dhe Ministrisë se Drejtësisë, reforma e thelle strukturore do te jete brenda tyre pa prekje te jashtme. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se kabinetet do të kenë 1-2 zv.ministra, në ndryshim nga kabineti i qeverisë Berisha i cili është i tejmbushur me 31 zv. ministra. Vetëm Ministria e Brendshme ka 3 zv.ministra , ndërsa Ministria e Kulturës plot katër të tillë, duke kënaqur të gjithë aleatët e tij të vegjël. Kryeministri deklaroi se kabineti i ri qeveritar do t’i nënshtrohet një reformimi dhe ristrukturimi do të ketë reformim, ristrukturim dhe ndarje të fokusit të punës, me qëllim efikasitetin e lartë dhe shkurtimin e shpenzimeve.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.