Rama prezanton Rilindjen në Kosovë: Do unifikojmë sistemin doganor e arsimor, retorikat nacionaliste nuk na duhen

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka qenë pasditen e sotme në Prishtinë ku ka prezantuar programin e Rilindjes.
Gjatë një konference me temë: ‘Shqipëria, Kosova dhe Rajoni pas 23 qershorit”, kryesocialisti Rama premtoi se pas 23 qershorit PS-ja do ta mbështesë Kosovën që të njihet edhe nga 5 vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur si dhe në integrimin e saj të mëtejshëm në BE së bashku me Shqipërinë.
“Pas 23 qershorit duam të japim shpejtësi të re anëtarësimit në BE, por të mbështesim Kosovës për vizat, 5 njohjet e mbetura pezull. Kosova nuk duhet të paguajë çmimin e azilkërkuesve serbë e maqedonas, ata nuk e meritojnë të qëndrojnë të izoluar nga bota”, tha Rama.
Duke iu referuar sërish retorikave nacionaliste, Rama theksoi se deklaratë të tilla nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe se ato duhet t’i lihen së shkuarës, pasi vëmendja duhet të përqendrohet drejt së ardhmes europiane.
“Që ditën e parë do të nisim punën për një marrëveshje me vendet e rajonit për mbrojtjen e pakicave në dritën e standardeve evropiane. Ato si ura mes shteteve të Ballkanit dhe jo si hendeqe brenda vendeve, mbi hartën etnike që nuk përputhet me atë territoriale. Harta duhet të mbushet me urat e së ardhmes, që kapërcejnë vizionin e së shkuarës. Ne refuzojmë sot dhe pas 23 qershorit do t`ia lëmë arkivave retorikën e vjetër nacionaliste që ka përfshirë edhe qeverinë tonë, që tenton të mbulojë dështimet duke u shfaqur si kërcënim për stabilitetin demokratik në rajon”, – shtoi Rama.
Rama theksoi se pas 23 qershorit do të ketë një status të ri për Kosovën, duke premtuar nënshkrimin e një traktati bashkëpunimi e mirëkuptimi, duke bërë të mundur bashkimin doganor apo unifikimin arsimor mes dy vendeve.
“Kosova do fitojë status të ri, do jetë parter strategjik në politikën e jashtme rajonale të Shqipërisë. Ne do punojmë që në ditën e parë të qeverisjes për të nënshkruar traktatin e bashkëpunimit, fqinjësisë dhe mirëkuptimit me Kosovën, Do vendosim për sistemin e unifikuar arsimor. Duhet të bëjmë bashkimin doganor me Kosovën. Duke bashkuar doganat ne do të rrisim hapësirën e lirisë për biznesin në të dyja anët e kufirit. Nuk duhet të ketë konkurrencë të garantuar dhe të pagarantuar, do të jetë një konkurrencë e biznesit në të gjithë hapësirën. Kufiri ku do kalojnë mallrat dhe prodhimet do jetë i papërfillshëm, për këtë s’na pengon askush, përveç instrumenteve të vjetra”, tha Rama.
SHQIP
Add new comment