Rama premton Korridorin e Kaltër: Do zgjidhim çështjen e pronësisë në bregdet, s’do e lëmë të bëhet Bathore

Postuar në 28 Prill, 2013 02:20

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi nga Vlora se kjo qeveri po abuzon me shifrat e punësimit në vend. Ai përmendi rastin e INSTAT, që fillimisht deklaronte se kanë humbur 51 mijë vende pune në katër vjet dhe pas denoncimit nga opozita, e hoqi këtë shifër, duke e bërë 9 mijë vende pune të humbura në katër vjet.

Rama tha se kjo qeveri vetëm po kopjon programin e PS.

“Po pse nuk i bënë gjithë këto gjëra në 8 vjet? Pse nuk i ndërtuan klasat sportive në 8 vjet? Pse nuk ja hoqën fshatarëve taksat që i dëgjuan prej nesh për një vit rresht dhe në fund të vitit të kaluar i rrëzuan me votë në parlament. Mbaj mend dhe votat, 72 me 58 kundër, edhe Jozefina: “hajd kundra”. Pse nuk i bëtë? Pse nuk e transformuan ndihmën ekonomike në program për të nxisë punësimin dhe integrimin social, që e premtojnë tani. Pse nuk thanë një fjalë, jo të bëjnë, për peshkimin? Nejse tek peshkimi e kanë justifikimin se iu ka mbetur mendja tek ngjalat dhe s’kanë faj. A i ka ngel mendja tek ngjalat? A i ka mbetur ngjala brenda? Këtë e dinë ata,” tha Rama.

Duke folur për turizmin dhe bregdetin, Rama tha: “Ne do të ndërtojmë Korridorin e Kaltër, për të lidhur infrastrukturën tonë me infrastrukturën rajonale, korridor që do t’i shërbejë turizmit shqiptar”.

Rama premtoi zgjidhjen e çështjes së pronësisë në bregdet.

“Ne nuk mund të tolerojmë bathorizimin e bregdetit të Jonit, ne do zgjidhim çështjen e pronësisë gjatë gjithë bregdetit dhe nuk do lejojmë që ai të mbahet i pushtuar me letra të falsifikuara dhe procese gjyqësore të manipuluara”, u shpreh Rama.

Duke iu rikthyer sërish incidentit në Vjenë, Rama premtoi se punësimi në ambasada nuk do varet nga mbiemri.

Rama sërish premtoi një polici të vetme, që do kontrollojë edhe hapësirat publike të qyteteve. Ai tha se do jetë një polici me autoritet, që do ndalojë edhe eskortën e kryeministrit nëse shkel rregullat e qarkullimit.

“Nesër ne do të ngremë në këmbë një polici, e cila do të imponojë respektin për ligjin, në radhë të parë në rrugët e vendit, në radhë të parë në hapësirat publike të qyteteve, duke vendosur edhe shkallën e parë në rrugën e përpjetë të rivendosjes së ligjshmërisë dhe të parandalimit të krimit. Duke folur për parandalimin, ne jemi shumë të vetëdijshëm që ky lidhet edhe me gjendjen ekonomike dhe sociale, lidhet me papunësinë, lidhet me varfërinë, lidhet me margjinalizimin e shtresave në nevojë dhe posaçërisht të rejave dhe të rinjve që nuk kanë parasysh një perspektivë të qartë për jetën e tyre. Programet tona të shkollimit, të arsimimit profesional, të nxitjes së punësimi dhe të integrimit në shoqëri përmes punës do të jenë pjesë e planeve tona për parandalimin e krimit. Do të jenë pjesë e betejës sonë kundër shkaqeve të krimit. Kur flasim për luftën me krimin, flasim edhe për domosdoshmërinë e depolitizimit të Policisë së Shtetit, flasim për domosdoshmërinë e një trupe policore, e cila të mos burojë nga klientelat e partive dhe t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të barabartë. Për një trupë policore që të ketë moralin dhe profesionalizmin që të ndalojë në mes të rrugës edhe eskortën e kryeministrit në rast se ajo po shkel rregullat e qarkullimit,” tha Rama.

“Në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, ne do të imponojmë ligjshmërinë në hapësirën publike, duke e nisur nga vendosja e respektit për rregullat e lëvizjes në këtë hapësirë, të të gjithëve barabar dhe jo kështu siç ndodh sot e gjithë ditën me qytetarë të privilegjuar të veshur me imunitet parlamentar apo me imunitet politik, apo me imunitet që buron nga lidhjet me pushtetin, të cilët mund të parkojnë ku të duan”./ep

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.