Rama pas takimit me Moore: Të rikthehet ligjshmëria në KQZ-në e rrëmbyer

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar mëngjesin e sotëm me zyrtarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Xhonatan Moor, dhe ambasadorin amerikan në vendin tonë, Aleksander Arvizu.
Ky takim është zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste dhe vjen pas zhvillimeve të fundit që kanë lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në një prononcim për mediat pas takimit, kreu i PS komentoi atë çfarë kishte biseduar me zyrtarin e lartë të DASH që sipas tij kishte të bënte kryesisht me situatën e fundit në KQZ dhe sipas tij, domosdoshmërinë për të rikthyer ligjshmërinë në institucioni më të lartë zgjedhor.
“Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm për situatën paraelektorale dhe për gjendjen në rajon dhe ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Duke u përqendruar tek çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të KQZ-së dhe praktikisht rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike, theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri.
Nga ana tjetër besoj se gjetëm mirëkuptimin e plotë për domosdoshmërinë që këto zgjedhje kaq të rëndësishme për Shqipërinë në këtë moment kaq të rëndësishëm për vendin në kontekstin e integrimit evropian dhe zhvillimeve në rajon të mos ketë asnjë arsye që nesër zgjedhjet të jenë të papranueshme”, tha Rama pas takimit.
I pyetur rreth dorëheqjes nga posti i nënkryetarit të KQZ nga ana e Denar Bibës dhe faktin nëse kjo dorëheqje lidhej me një skenar të caktuar pas marrëveshje me LSI, Rama e mohoi kategorikisht një fakt të tillë, duke theksuar se vendimi i Bibës tregon thjesht dhe vetëm integritetin e tij moral dhe profesional dhe se zëvendësimi i tij nuk ishte një procedurë e thjeshtë, por rikthim i ligjshmërisë së humbur në KQZ.
“Është krejtësisht e pavërtetë. Unë ushqej respekt të plotë për Denar Bibën, që nuk vjen nga radhët e PS. Nuk është propozuar për të qenë një ushtar partie. Ka afirmuar të gjithë integritetin moral dhe profesional në kundërshtim të hapur me cenimin e integritetit të KQZ”, tha Rama.
SHQIP
Add new comment