Rama: Opozita bën politikë me krimin, ne po e luftojmë

Postuar në 31 Janar, 2014 04:27

“Lufta kundër krimit do të çohet deri në fund, pa asnjë tërheqje, lëkundje apo diskutim”. Kështu deklaroi dje nga salla e Kuvendit, kryeministri Edi Rama. Shefi i qeverisë iu përgjigj akuzave të opozitës ndaj policisë dhe ministrit të Brendshëm, duke i cilësuar deklaratat e tyre si “vajtim për humbjen e pushtetit të korruptuar”. “Bënë ç’deshën me Shqipërinë, minuan çdo marrëdhënie sociale me urrejtje politike, çdo shkollë me injorancë, çdo derë të shtetit me korrupsion, e bënë shtetin fije- fije. Këta kanë kaq shumë hesape të pambyllura me shqiptarët dhe veten e tyre sa që i gënjen mendja se mund t’i mbyllin duke derdhur një llumë fjalësh për çdo gjë. Ju bëni sikur vajtoni, por në fakt vajtoni me të vërtetë humbjen e pushtetit tuaj të korruptuar deri në palcë. Nuk e keni me krimin por me policinë luftën tuaj. Nuk i bëni kurrë thirrje policisë të zbardhë ngjarjen, por kërkoni dorëheqjen e ministrit. Shtetin që ju rrënuat ne do vazhdojë ta rindërtojmë.”- u shpreh kryeministri. Sipas kryeministrit, opozita bën politikë me krimin, ndërsa qeveria po e lufton atë.  “Krimi ka përballë shtetin, politika juaj e frymëzon krimin, lufta jonë po e zmbraps dhe do ta çojë aty ku e ka vendin.”- tha kryeministri. 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.