Rama: Nuk do heqim askënd nga puna, nëse është i zoti

Postuar në 02 Korrik, 2013 16:29

Partia Socialiste sot ka festuar fitoren për Tiranën nën logon “Faleminderit Tirana”, ku i gjithë aktiviteti është organizuar në ambientet e amfiteatrit pranë liqenit artificial në kryeqytet.

Në këtë aktivitet përshëndetën dhe mbajtën fjalën e tyre të rastit deputetët e këtij qarku si Ditmir Bushati, Besnik Baraj, Vasilika Hysaj, Saimir Tahiri etj., me në krye të parin e listës Pandeli Majko.

Gjatë fjalës së tij Majko deklaroi se duket si ëndërr por po festohet fitorja, të cilën 10 ditë më parë kishte shumë që nuk besonin.

“Sot është data 2 korrik, në 23 qershor shqiptarët refuzuan stanjacionin dhe krizën. Sot më 2 korrik për të kujtuar atë datë të viteve më parë dhe këtë ditë të fitores, të mos prishjes së mureve të ambasadave, por të mureve ndarës që ekzistonin në vend. Po ua them sot pa pritur shtatorin, të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, që kanë hequr nga puna njerëz, duke ardhur vërdallë si korba mbi qendrat e votimit për të bërë presion, tani është koha të ikin, e kanë merituar dhe ju meritoni më shumë, sepse na keni mbajtur dhe do ju mbajmë”, tha Majko.

Sakaq kryesocialisti, Edi Rama deklaroi se nuk dëshiron që asnjë familje shqiptare të ndihet keq pse nuk votoi për të majtën, pasi theksoi se Shqipëria do mirëqeveriset për të gjithë, si për ata që kanë votuar dhe për ata  që s’kanë votuar majtas.

“Se nga çfarë do t’ua provojmë me vepra jo me fjalë. U çliruan mësuesit, shumë ndër ta mund të mos na kenë votuar, por nesër do të marrin frymë lirisht dhe nuk do të ndjehen nën presion për atë që mendojnë. U çliruan infermierët dhe mjekët sepse do të jenë vetëm për t’u shërbyer të sëmurëve dhe të afërmve të të sëmurëve dhe jo pushtetit duke lënë spitalin bosh për të shkuar në mitingje. Shpëtuan policët dhe të gjithë ata që i shërbejnë shtetit dhe do jenë të detyrua t’i shërbejnë pushtetit. Janë çliruar nxënësit, studentët që nuk do të kërcënohen më për t’u marrë votën apo për të marrë vesh se për kë do të votojnë”, u shpreh Rama.

Sipas tij qeveria në ikje i gënjeu shqiptarët me legalizime dhe i la të pa legalizuar, duke thënë se në fund të mandatit të parë, këto shtëpi do jenë prona të patundshme në hipotekë.

Rama tha se ka marrë fund përndjekja e atyre që janë pushuar nga puna prej përkatësisë dhe bindjeve partiake, duke u zotuar se gjithë ata që e kanë fituar të drejtën e kthimit në punë do të kthehen në punë, ndërsa theksoi se askush që është aktualisht në punë nuk duhet të ndihet i kërcënuar nëse është në atë vend pune me meritë dhe jo se është kushëriri i dikujt apo miku i dikujt. 

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.