Rama në Vlorë: Mandatin e parë, përfundon reforma e tokës. Asnjë votë për Malajn, problemet i zgjidh vetëm PS

Kreu i socialistëve Edi Rama ka zhvilluar bashkëbisedime me banorë të qarkut të Vlorës, ku dhe kryeson listën e kandidatëve për deputetë. Gjatë një takimi me banorë të fshatit Llakatund të Vlorës, Rama premtoi se brenda 2 viteve të para të mandatit qeverisës do të përfundojë reformën e plotë të tokës, duke i dhënë certifikatën e pronësi çdo pronari.
“Do japim pronësinë, do bëjmë transparence të plotë me pronën posaçërisht në bregdet. Brenda 2 viteve të para të mandatit qeverisës do të përfundojmë reformën e plotë të tokës, duke iu dhënë certifikatën e pronës në dorë. Marrja e tokës nga familjet e pafuqishme të fshatit që trajtohen si të ishin bujkrobër nga disa kryetarë komunash dhe kalimi i tokës për hesapet e tyre tek të afërm tek miq partie biznesmenë, me ca kontrata skandaloze në dëm të zhvillimit nuk do të tolerohet. Ky katër vjeçar do të jetë kthimi i deputetëve në unë për të trajtuar këto probleme”, tha Rama
Kryesocialisti Rama sulmoi kryeministri Berisha se i largohet përgjegjësisë për dështimet duke i faturuar fajin opozitës.
“Saliu thonte nuk ka ujë ku qeverisën socialistet ata e kanë fajin, mori angazhim në 2005, kur i tregonte duart shqiptarëve shikoni sa të pastra i kam, me jepni të drejtën të udhëheq, tani thotë e kanë fajin kryetarët e Bashkive dhe të Komunave. Po në Shkodër dhe Kukës që janë kryetar bashkie demokrat ata e kanë fajin. Po në Peshkopi ai e ka fajin. Kjo është mënyrë e ulët për ti ikur përgjegjësive. Për mua tek uji ndahet mesjeta nga qytetërimi modern. Në Orikum janë rishfaqur zonat malarike, mesjetë është kjo. Ne do e mundim këtë errësirë. Qoftë nga mungesa ujit e dritave apo e shtetit”, theksoi Rama.
Ndërsa duke komentuar kandidimin e Arben Malaj si i pavarur në qarkun e Vlorës, Rama tha se vota nuk është çështje miqësie por investim për familjen e gjithsecilit, ndaj i bëri thirrje banorëve të Llakatundit që ta dëgjojnë alternativën e tij, por të votojnë PS si e vetmja alternative për zgjidhjen e problemeve të tyre.
“Votat kanë vlerë vetëm kur janë në numrin e PS, Arben Malaj ta keni mik dhe ta mbani, t’ia hapni derën e shtëpisë dhe ta kuptojë se vota nuk është çështje miqësie, por investim për familjen tuaj. Thoni Arbenit të dëgjuam,voto PS. Asnjë kokërr vote për Arben Malaj, nuk ka rrugë tjetër për të zgjidhur problemet vetëm PS”,- tha Rama.
Nga Kanina e Vlorës, kreu i opozitës deklaroi se mungesa e shtetit bën që njerëzit të jetojnë në varfëri e papunësi në një vend plot burime natyrore.
“Kanina është një mrekulli e Zotit dhe kur sheh varfërinë dhe papunësinë e banorëve të këtij vendi thua si ka mundësi që të lindësh në një vend me kaq bukuri e pasuri e të bashkëjetosh me varfërinë e papunësinë. Ka vetëm një përgjigje: sepse nuk ka shtet!”
Kreu i Partisë Socialiste shtoi: “Kjo fushatë nuk është ballafaqim për të zgjedhur midis dy palësh, kjo është një fushatë dhe një votë për të vendosur nëse do të vazhdojmë pa shtet apo do ndërtojmë shtet për të sjellë ujë në rubinet sepse është turp që në një vend si Shqipëria nuk ka ujë”
SHQIP
Add new comment