Rama në Roskovec: T’i japim fund regjimit të një Familje që po rrënon Shqipërinë

Kryetari i opozitës, Edi Rama, është ndalur të shtunën në Roskovec, ku ka deklaruar se vota e tyre nuk është për të ndryshuar një kryeministër me një tjetër, por për t’i dhënë fund rrënimit dhe papunësisë.
Rama tha se PD është kthyer në një parti të një Familje, që po shkatërron vendin.
“Vota e 23 qershorit nuk është një votë për një parti kundër një tjetre, as për disa njerëz kundër disa të tjerëve, as një votë për të ndërruar një kryeministër me një tjetër, por është një votë për të ndalur rrënimin e mëtejshëm dhe për t’i hapur rrugën rilindjes shqiptare, një votë për t’i dhënë fund rritjes së papunësisë dhe për të hapur vende të reja pune. Është një votë për t’i dhënë fund shkatërrimit të biznesit të vogël..
PD është partia e një familje dhe e një grushti klientësh të saj, që kanë grabitur dhe rrënuar në këto 8 vjet Shqipërinë. Zgjedhja e 23 qershorit është shumë e qartë, kush e do familjen në gjunjë të votojë Saliun, kush e do rrugën të hapur për familjen e tij, ka vetëm një adresë, Partinë Socialiste të Shqipërisë,” tha Rama.
Kryetari i PS deklaroi sërish se nëse ai do të zgjidhet kryeministër, hallet e qytetarëve do jenë hallet e tij.
“29 është data e bekuar e çlirimit të Shqipërisë, me 29 Shqipëria do çlirojë energji të jashtëzakonshme për të shkuar përpara dhe për të lënë pas katragjyshin me antiplumb. 23 qershori do jetë dita e madhe e shqiptarit të zakonshëm e familjeve të zakonshme, t’i jepni fund regjimit të një familje.
Unë nuk kam ardhur këtu për t’ju treguar përralla, ju e dini kush i tregon përrallat. Jam sot në qytetin e mikut të paharruar Fatmir Xhindit për t’ju thënë se hallet dhe problemet tuaja do jene edhe të miat, përpjekjet për të dalë nga varfëria do jenë edhe të miat e të gjithë skuadrës së Rilindjes”, theksoi Rama./ep
TEMA

Add new comment