Rama në Laç: S’mund ta mbajmë më katragjyshin me antiplumb mbi kurriz

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbajtur pasditen e sotme një miting në qytetin e Laçit. Menjëherë pasi grupi i valltarëve ka kërcyer vallen e Tropojës, Rama tha se, kjo pamje për mua është e paparë”. Në fjalën e tij kreu i opozitës ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se ka rrënuar vendin duke menduar vetëm për familjen e tij. Lideri i socialistëve tha se s’mund të mbajmë më katragjyshin me antiplumb mbi kurriz.
“Ju e keni nisur këtë rrugë, 2 vjet më parë, 2 vjet më parë ju vendosët, ta largoni nga Laçi, hijen e katragjyshit dhe vendosët që në vend të katragjyshit të zgjidhni një djalin tuaj, shokun dhe vëllanë tuaj. Artur Bardhi, i cili sot si kryetari i bashkisë na bën të gjithëve krenar. Ju e keni shijuar frytin e ndryshimit, ju e dini se çfarë ndryshim i madh është kur ikën katragjyshi dhe kur gjenerata e re merr në dorë fatet e komunitetit. Ju e keni çliruar qytetin me largimin e asaj çete se kudo ku shkel, ndalon dhe rri rrënon. Ju laçianet, e larguat më 8 maj të 2 viteve më parë, çetën e rrënimit nga pushteti këtu në Laç dhe ja sot dy vjet më pas, çdo qytetar, i kësaj Bashkie mundet të dëshmojë, pavarësisht nëse është socialist apo demokrat se ndryshimi është i dukshëm dhe i ndjeshëm, është i prekshëm për të gjithë”, theksoi Rama.
“Në rast se ju në 23 qershor ju do të bashkoheni, socialist dhe demokratë, ju do t’i jepni Arturit dhe vetes një mbështetje të jashtëzakonshme dhe në katër vjetër e ardhshme ne do të bëjmë për Laçin dhe Kurbinin, atë që nuk është bërë për 20 vjet me radhë! Këtu në Laç ekziston një ndërmarrje fason që punëson shumë njerëz. Program ynë ka një pikë të rëndësishme mbështetjen e ndërmarrjeve fason. E pra, nëse doni një mundësi për punë, që të qeveriset Shqipëria me një program që mbështet industrinë prodhuese, punësimin për vajza dhe djem, ka vetëm ka një drejtim, “Partia Socialiste”, u shpreh kreu i PS-së.
Rama i ka thënë qytetarëve të Laçi se nuk do të bëjë mrekulli, por i ka premtuar solemnisht që hallet e popullit do të jenë edhe hallet e tij. “Nuk kam shkop magjik dhe nuk ju premtoj se për 4 vjet, Shqipëria do bëhet mrekulli, por me votën skuadrës së Rilindjes, ju do keni një qeveri që problemet tuaja do t’i ketë të vetat. Këtu nuk është pyetje nëse do fitojë PD-ja apo PS-ja, por a do vazhdojë rrënimi apo do hapet rruga e ripërtëritjes. A do shkatërrohet shtresa e mesme apo do fitojë taksimi i ndershëm për 9% të shqiptarëve? A do kemi shërbime sipas xhepit apo sipas nevojës? A do ta kemi shëndetësinë me lekë në dorë apo falas për të gjithë?”, u shpreh Rama.
Ai tha që i takon popullit të vendosë nëse do zgjedhë PS-në me rilindjen apo PD-në me rinimin.
SHEKULLI
Add new comment