Rama në Kukës, thirrje Nokës: Mos guxo të rrotullosh thikën e ndasive Veri-Jug mes shqiptarëve

Partia Socialiste zhvilloi pasditen e sotme një miting elektoral në Kukës, ku u prezantuan edhe kandidatë por deputet të PS në këtë qark për zgjedhjet e 23 qershorit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalën e tij para të pranishmëve sulmoi ministrin e brendshëm njëkohësisht kandidat për deputet në qarkun e Kukësit, Flamur Noka, se po tenton të fusë ndasitë veri-jug mes shqiptarëve, duke theksuar se një gjë të tillë e bëjnë vetëm armiqtë e vendit.
“Sot, shkon dhe vjen lart e poshtë një personazh komik që nuk është tek Portokallia, por në krye të Ministrisë së Brendshme, një Flamur ‘pa bisht’ që tundet dhe shkundet në Kukës, Tropojë dhe Has duke treguar përrallat e katragjyshit me antiplumb. Një burrë qesharak që nuk i bën nder kuksianëve, tropojanëve dhe hasianëve, nuk i bën nder uniformave blu të këtij vendi janë katandisur ashtu siç janë katandisur, pasi kanë mbetur në dorën e katragjyshit me antiplumb që dreqi e di pse ka kaq frikë kur takon popullin e vet. Flamuri pa bisht vjen këtu vërdallë e fut më thellë thikën e ndasisë. Por ne nuk jemi këtu për të ndarë, por për të bashkuar. Ndaj i them atij: Mos guxo më të rrotullosh thikën e ndasisë ndërmjet shqiptarëve, sepse këtë e bëjnë vetëm armiqtë e Shqipërisë”, tha kryetari i PS.
Rama nuk i kurse akuzat as ndaj kryeministri Berisha i cikli sipas atij vjen lart e poshtë duke thënë se Edi Rama nuk e do Kukësin, ndërkohë që 8 vjet në qeverisje e la këtë vend në mjerim dhe varfëri të plotë.
“Çfarë është ky sharlatan që vjen vërdallë duke thënë se Edi Rama nuk e do Kukësin?! Çfarë ka bërë ky katragjysh me antiplumb?! Ku janë rrugët në Kukës dhe Tropojë, që as kanë ekzistuar, jo të kenë përfunduar? Ku janë kanalet kulluese që i japin ujë fushave tuaja? Ne nuk jemi për të ushqyer urrejtjen, por shpirtin e solidaritetit, dashurinë për njeri-tjetrin dhe atë respekt që Kukësi nuk i ka borxh as ‘Flamurit pa bisht’ dhe as katragjyshit me antiplumb. Një goxha burrë vjen vërdallë, takon njerëz dhe fut thellë e më thellë thikën e ndasisë”, tha Rama.
Rama në Rrëshen: Votoni Rilindjen, çlirojeni vendin nga rrënimi
Ndalesa e radhës e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në kuadër të fushatës elektorale ishte në qytetin e Rrëshenit, nga ku ritheksoi zotimin e opozitës për lehtësim taksash për 95 për qind të shqiptarëve.
Rama tha se qeveria ka lënë Mirditën, ashtu si gjithë Shqipërinë në varfëri të skajshme, kokulur dhe me lista borxhesh.
“Ja pse ne zotohemi solemnish për uljen e taksave për 95 për qind të shqiptarëve. Ja pse ne zotohemi se do të lehtësojmë të gjithë shqiptarët e vetëpunësuar duke u hequr taksën e biznesit të vogël dhe përgjysmojmë TVSH brenda 100 ditëve të para. Ne do të heqim taksën e ilaçeve, taksën e ushqimeve bazë. Ne refuzojmë që sot, shqiptarët paguajnë 20 për qind taksë në çdo kilogram bukë dhe çdo gotë qumësht që u japin fëmijëve. Ne do t’i bëjmë zero këto taksa dhe do ulim nga 20 për qind në 6 për qind taksën e faturës së energjisë elektrike. Parimi ynë është i thjeshtë, kush fiton më shumë do paguajë më shumë, kush fiton më pak do paguajë më pak”, tha Rama.
Rama iu përgjigj akuzave të kryeministrit Berisha, i cili ka sulmuar sistemin e taksës progresive të propozuar nga Partia Socialiste dhe ka mbrojtur taksën e sheshtë si taksa e duhur për Shqipërinë.
“Katragjyshi me jelek anti-plumb ju thotë shqiptarëve që taksa e tij e sheshtë qwnka taksa e Zotit. Pra, shqiptarët varfërinë e paskan nga Zoti, shqiptarët papunësinë e paskan nga Zoti, shqiptarët barrën e taksave që po u zë frymën e paska nga Zoti dhe ky i dërguari i Zotit në tokë paska vetëm detyrën të gënjejë shqiptarët nga mengjësi në darkë?! E keni dëgjuar kur ju thotë lëreni taksimin e ndershëm të tyre, sepse ne do ju japim lekë në dorë, për naftën, për përmbytjet? Po a ka më shqiptarë që beson Saliun që të jep lekë në dorë?!” u shpreh Rama.
Kreu i PS-së u ndal edhe tek premtimi i kryeministri Berisha që gjatë një takimi elektoral në Shkodër tha se brenda vitit do të pajisen me certifikatën e tokës të gjithë fermerët. Rama ngriti pyetjen se përse këto certifikata nuk u dhanë për 8 vite, por premtohen tani?
Më tej, kryesocialisti tha se vota e 23 qershorit nuk është një zgjedhje mes partish, as zgjedhje emrash se kush do të jetë kryeministër, por zgjedhje mes rrugës së rrënimit dhe rilindjes.
Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Socialiste bëri thirrje për të votuar numrin 29 dhe për pjesëmarrje masive në zgjedhje.
“Nr. 29 çliron frikën dhe korrupsionin dhe u jep shqiptarëve një qeveri që të luftojë krimin duke çliruar shqiptarët. Zgjedhja është shumë e qartë, kush do të mbajë pushtetin gjatë dhe të zhytet në batak, le të mbajë Saliun, kush do një qeveri të re në krah për hallet dhe problemet, ka vetëm një adresë, nr. 29 që është Partia Socialiste e Shqipërisë. Ndaj më 23 qershor bëni gjithçka mundeni dhe mos shkoni vetëm në kutinë e votimit, por merrni edhe atë që nuk ka votuar herë të tjera. Bindeni atë që vota është investimi për të ardhmen e tij, të fëmijëve dhe atdheut tonë”, mbylli fjalën e tij Rama.
SHQIP
Add new comment