Rama në Gjirokastër: Përse nuk i tregon më duart e pastra Berisha? Shqipëria po punon për familjen e tij

Kreu i socialistëve Edi Rama dhe skuadra e Rilindjes ka udhëtuar drejt Gjirokastrës, ku ka zhvilluar një miting madhështor në qendër të qytetit. Në fjalën e tij drejtuar qytetarëve, Edi Rama duke vlerësuar pjesëmarrjen e gjirokastritëve në këtë shesh, ka shprehur mirënjohjen e tij të madhe.
“Mirënjohje për të gjithë ju që keni mbushur këtë shesh sot. Po ta shikoja në foto këtë pamje do të thosha se ishte fotomontazh. Por e gjithë kjo është kaq reale dhe unë u them se ne do të jemi këtu pas 23 Qershorit që të bëjmë të mundur realizimin e ëndrrës që ka bërë të munduar këtë pjesëmarrje. Kush bashkohet në rrugën tonë deri në 23 Qershor nuk do të pendohet, por do të jetë krenar që votoi numrin e bekuar 29. Në 29 Nëntor Shqipëria u çlirua nga pushtuesit e huaj kurse në 23 qershor do të çlirohet nga pushteti i një familjeje, nga pushteti i korrupsionit”, u shpreh Rama. Më tej kreu i opozitës ka ftuar të gjithë gjirokastritët të votojnë për të ardhmen e tyre, që sipas tij pas 23 qershorit do të varet nga aftësitë e gjithsecilit dhe jo nga lidhjet politike.
“Shqipëria është familja e madhe dhe ajo nuk mund të punojë për familjen tënde Sali. Ne jemi këtu për të punuar së bashku me 700 familje të Shqipërisë, që pas 23 qershorit, të mos varet nga mbiemri yt, nga lidhjet e tua me familjen në pushtet, fati yt dhe i familjes tënde, por të varet vetëm nga ty, nga puna jote, nga aftësia jote,” tha Rama.
Ai ka akuzuar kryeministrin Berisha për shkatërrim të vendit prej korrupsionit dhe vjedhje të votave, duke ironizuar sloganin e dikurshëm të tij “me duar të pastra”.
“Katragjyshi i sotëm dhe doktori i atëhershëm tregonte duart dhe thoshte ma jepni mua votën tuaj për këto duar të pastra që me këto duar të pastroj Shqipërinë nga korrupsioni, ma jepni mua mbështetjen tuaj se me këto duar ta mund papunësinë, dhe të udhëheq rrugën drejt një Shqipëri të re, pse nuk i tregon më duart. Pse nuk ua nxjerr duart përpara. Pse nuk ngre me duart. Sepse në ato duar janë të shkruara mëkatet dramat dhe tragjeditë politike të gjithë këtyre viteve. Në vijat e atyre duarve janë rrugët e vjedhjes së votave, janë rrugët e grabitjes së pasurive nëntokësore dhe mbitokësore të vendit. Në vijat e atyre duarve janë rrugët e tragjedive të mëdha që bënë viktima të pafajshme.
Në ato duar është rruga e gjakut të 21 janarit, aty janë rrugët e kontrabandës dhe drogës që mbikëqyren nga shërbëtoret e oborrit të katragjyshit në policinë e shtetit. Po katër vite me parë ju kujtohet kur thoshte Bota na beson, ju kujtohet kur thoshte mos dyshoni na besoni se ne na beson Bota dhe ju nxirrte fotografi te takimeve, ku e ka tani Botën? Kush e beson tani? Bota nuk e beson dhe takon më katragjyshin. Bota nuk ja jep me dorën katragjyshit sepse Bota nuk shtrëngon më ato duar që janë të mbuluara nga zullumet e katre 8 viteve. Bota beson Shqipërinë dhe shqiptarët dhe Shqipëria dhe shqiptarët besojnë boten dhe më 23 qershor Shqipëria do gjejë rrugën për tu bërë pjesë e denjë e botës”, tha Rama.
Ai u shpreh i bindur për një fitore të thellë të socialistëve në qarkun e Gjirokastrës dhe në gjithë Shqiqërinë.
SHQIP
Add new comment