Rama në Elbasan: Sistemi shëndetësor ka falimentuar

Kryetari i Partisë Socialisti Edi Rama deklaroi sot se sistemi shëndetësor në Shqipëri ka falimentuar. Gjatë pjesëmarrjes në një forum të organizuar me temë kryesore, Shëndetësinë në qytetin e Elbasanit Rama premtoi ndryshimin rrënjësor të sistemit shëndetësor. “Ne besojmë që sistemi i sotëm i bazuar në kontribute ka falimentuar. Sistemi që është marrë dhe është bërë pjesë e jetës sonë sot ka falimentuar pasi në 20 vjet vetëm 7 përqind e shpenzimeve për shëndetësinë vijnë nga sigurimet, gjithë pjesa tjetër vjen ose vetëm nga xhepi ose nga taksimi i përgjithshëm. Ne do ta ndryshojmë skemën në themel dhe shqiptarët nuk do të paguajnë për të kontribuar, por do të kontriubojnë kolektivisht për sistemin dhe kjo do të ndodhë nëpërmjet shtetit” tha Rama. Sipas kreut të opozitës sot është centralizuar korrupsioni dhe kontrolli mbi gjithë shërbimin shëndetësor. “Nuk ka filluar tani e keqja, ka filluar para 20 vitesh, në këto 7 vjet është kancerizuar. Sot është centralizuar kontrolli politik mbi gjithë strukturën e sistemit shëndetësor. Po ju them sot me bindjen se me më pak, ne do të bëjmë më shumë. Për paratë sot që shpenzohen për shëndetin 800 milionë dollar në vit, shërbimi është shumë herë më i ulët” tha Rama.
MAPO
Add new comment