Rama në Elbasan: Do anulojmë ligjin për importin e plehrave. Do ndërtojmë ladfill me standarde

Postuar në 27 Maj, 2013 15:19

Nga Elbasani ku mbajti një konferencë për Mjedisin, kreu i opozitës Edi Rama akuzoi qeverinë se po i hap dritën jeshile importit të plehrave, në një kohë që niveli i ndotjes është në shifra alarmante.

“Kryeministri është shfaqur duke propaganduar për një tunel, që sot është një territor nën trysninë e vazhdueshme të një ndotje të patregueshme. Kryetari i Bashkisë tha se 1 në 2 persona vdesin nga ndotjet. Mali i plehrave ngjitur me varrezat e qyteti është dëshmia më rrëqethëse e një vizioni të kujdesit së qeverisë ndaj këtij vendi, një vend që mbytet kudo nëpër plehra dhe për shkak të një vendimi sa absurd dhe kriminal importon plehra nga jashtë”, theksoi Rama.

Shefi i opozitës duke dhënë arsyet pse qeveria importon plehrat, premtoi se në 100 ditët e para të qeverisë socialiste, do të anulohet vendimi për importin e plehrave. “Është historia e vendeve pa shtet, që nuk qeverisën por sundohen nga kasta të korruptuara, që për shkak të importit të plehrave kthehen në skena tragjedie humanitare. Anulojmë brenda 100 ditëve të para, të importimit të plehrave. Shqipëria nuk do importoje me plehra nga jashtë. Ne do e anulojmë ligjin dhe do të vendosim bllokimin për çdo lloj mbeturine nga jashtë”, theksoi Rama. Ai theksoi se qeveria ka penguar projektet e Bashkisë së Durrësit dhe të Elbasanit për përpunimin e mbeturinave, duke akuzuar kryeministrin Berisha për lidhje përfitimi me krimin. “Ka interesa që lidhen me zyrën e kryeministrit. Lidhjet e qeverisës me fijet kriminale në këtë fushë. Sesi është lidhur qeveria nuk e dimë, a është kryeministri, a janë njerëzit e famshëm pranë tij, kjo pak rëndësi ka”, shtoi Rama.

Ai premtoi se do i japë zgjidhje situatës, duke bërë të mundur realizimin e projektit për landfillin e mbetjeve urbane. “Ne do krijojmë mundësinë e zbatimit të projekteve e gatshme të Bashkive. Së dyti mbështetje të drejtpërdrejta nga qeveria. Qoftë me fondet e shtetit, qoftë me përfshirjen e donatorëve në këtë drejtim. Dhe e treta, hapja e rrugës për investimet private me promovim, nxitje dhe mbështetjen. Një gjë është e sigurt, në majin e vitit të ardhshëm në Elbasan nuk do jemi duke diskutuar se si do e realizojmë, por do të nisim projektin për të hequr plehrat. Angazhimi jonë për Shqipëri të pastër. Do vëmë në jetë projektin e Bashkisë së Elbasanit për të hequr atë mal turpi të qeverisë nga varet dhe për të ndërtuar një fushë të përpunimit të plehrave me standarde evropiane. Ne do të ndërtojmë një ladfill të standardeve evropiane dhe qyteti nuk do sulmohet më nga djegia e plehrave ngjitur me varrezat”, tha Rama.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.