Rama në Elbasan: Bashkimi me LSI do të mbrojë nga vjedhja votën e fitores sonë

Postuar në 06 Prill, 2013 13:47

 

Partia Socialiste u ndal në qytetin e Elbasanit për të prezantuar programin “Rilindje”. Në nisje të fjalës së tij, kryesocialisti Edi Rama u ndal në zhvillimet e fundit politike në vend dhe koalicionit të Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Sot ne jemi një koalicion më i madh. Bashkimi ynë me LSI-në ka ndryshuar vetëm një gjë, sot vota e fitores sonë është më e mbrojtur nga vjedhja, ndërsa Saliu dhe partia e tij familjare janë më të vetmuar në humbjen e tyre. Por koalicioni ynë do të jetë edhe më i madh deri ditën kur do të regjistrohet, kur të hyjë në fushën e betejës, ndërsa Saliu dhe partia e tij familjare akoma më i vetmuar”, tha Rama.

Ai garantoi qytetarët se asgjë nuk ka ndryshuar nga vlerat dhe parimet e programit “Rilindje”. Ai tha se angazhimet e PS-së për programin për një Rilindje nuk kanë lëvizur as edhe një presje. Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të zëdhënëses së Partisë Demokratike, për ngjarjet e 21 janarit, Rama premtoi se drejtësia do të vihet në vend. “Sot e gjora ime Laura doli për të qarë në emër të urdhëruesve të vrasësve të 21 janarit, për 21 janarin. Unë do t’i thosha nga këtu, mos u mërzit Laura, 23 qershori do t’i hapë rrugë drejtësisë për 21 janari, por do të shpëtojë edhe ty edhe Partinë Demokratike nga përgjegjësi më i madh i 21 janarit”, tha Rama.

Duke marr shkak nga vrasjet dhe aksidentet tragjike që kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit, ku humbën jetën pesë femra, Rama akuzoi kupolën e Policisë së Shtetit se është e paaftë për të parandaluar krimin. “Krimi është rritur dhe vazhdon të rritet me ritme galoponte, sepse kupola e policisë shet operacionet e saj, deklaroi kryesocialisti duke premtuar më pas se brenda 100 ditëve të qeverisjes socialiste, uniformave blu do t’u rikthehet dinjiteti”,- premtoi Rama.

Më herët deputeti socialist, Ben Blushi deklaroi se opozita e ka të lehtë për ta mundur kryeministrin Sali Berisha në zgjedhjet e 23 qershorit. “Berisha është kryeministri më i lehtë për tu mundur, mos keni frikë. Atij i ka mbetur vetëm një gjë, po pret që ne ta mundim.”, tha Blushi. Ai u ndal më tej në të majtën e bashkuar, për të cilën tha ishte e nevojshme, në mos e domosdoshme. “E majta është bashkuar. Të gjithë atyre që mendojnë se kjo ishte një gjë jo shumë e nevojshme, apo për disa e panevojshme, unë ju them se ishte e nevojshme, ndoshta e domosdoshme. E shkuara nuk ka pse të na mbajë më peng. Duke u bashkuar do jemi më shumë, më të fortë dhe sigurisht fitues,”- tha Blushi.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.