Rama në Durrës: Na jepni votën tuaj, t’i japim fund rrënimit ekonomik e të rilindim Shqipërinë

Postuar në 10 Maj, 2013 03:09

 

Partia Socialiste prezantoi ditën e sotme kandidatët për deputetë në qarkun e Durrësit. Në një miting me simpatizantët socialistë, kreu i opozitës falëndero eksponentët e PS që këtë herë kanë mbetur jashtë listës, si dhe shprehu bindjen për një fitore “historike” të partisë së tij në këtë qark.

Rama premtuar se me ardhjen e PS në pushtet, qeveria nuk do të rrijë më duarkryq përballë fenomeneve negative që karakterizojnë sot shoqërinë shqiptare si varfëria, papunësia, analfabetizmi dhe rrënimi ekonomik.

“Durrësi ka një sërë arsyesh që të votojë PS. Arsye janë librat e borxheve në dyqane, bizneset e vogla të mbytura nga taksat dhe shtypja nga shteti e atyre që punojnë në punë të ndershme dhe me zorr arrijnë fundin e muajit. Ka arsye arsimin e rrënuar dhe analfabetizmin. Kaq mjafton që një qeveri të ikë me vrap dhe kaq mjafton për një prind që të shkojë të votojë e ta largojë këtë qeveri”, theksoi Rama.

Shëndetësia ka qenë një tjetër pikë e prekur prej tij. “Ne themi qartë dhe prerë: ne do t’u ofrojmë shqiptarëve shërbime sipas nevojës dhe jo sipas xhepit. Me ne shërbimi shëndetësor do të jetë falas”, pohoi Rama.

Ai shtoi më tej se qeveria socialiste do të frenojë gjithashtu importin e plehrave në vend dhe do mundësojë realizimin e planeve infrastrukturore të hartuara nga bashkitë socialiste dhe të penguara sipas tij nga pushteti qendror.

“Vota për PS do të thotë votë për një Shqipëri të pastër e jo të mbytur nga plehrat që vijnë nga jashtë. Vota për PS është një votë për realizimin e projekteve të bashkisë së Durrësit dhe çlirimin e Krujës. Më 23 qershor të votohet për punësimin, për taksën e ndershme dhe jo atë të sheshtë. Jam i bindur se Durrësi më 23 qershor do votojë për t’i marrë shërbimet sipas nevojës, për t’i hapur rrugë zhvillimit”, ka shtuar Rama.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.