Rama në dhomën e Berishës në Shkodër, miratohen 100 ditët e para

Postuar në 03 Shtator, 2013 09:14

Qeveria “Rama” ka zgjedhur Shkodrën për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve përpara se të marrë zyrtarisht javën e ardhshme detyrën për të drejtuar vendin për 4 vitet në vijim. Kjo ndoshta edhe si përkujdesje nga ana e kryesocialistit për të shmangur çdo lloj komenti përçarës krahinor, por edhe si tregues se premtimet elektorale do të jenë në qendër të vëmendjes edhe në qeverisje. Rama zgjodhi Vlorën dhe Shkodrën si dy qytetet përfaqësuese të jugut dhe veriut, për të bërë mbledhjet e para të qeverisë së tij, aty ku dhe mbylli fushatën elektorale në 21 qershor. Kjo mbledhje e dytë e qeverisë, ashtu si edhe ajo e Vlorës, do të vijojë ditën e sotme, ndërsa në qendër të punimeve të saj mësohet se ka qenë programi që qeveria e ardhshme do të paraqesë javën që vjen në Parlament, si dhe masat e detyrat që do të merren për 100 ditët e para të qeverisjes.

Takimi

Mbledhja e dytë e qeverisë ka nisur dje pasdite rreth orës 17:00 dhe ka zgjatuar katër orë. Ministrat e propozuar nga Rama kanë mbërritur pas orës 15:00 në hotel, ndërsa vetë kryeministri i ardhshëm ka qenë aty rreth orës 15:45. Në Shkodër ka qenë edhe ministrja e sapomartuar, Klajda Gjosha, e cila vetëm një ditë më parë kreu dhe ceremoninë e martesës. Gjithashtu, në Shkodër ka mbërritur edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pavarësisht se gjatë ditës i është dashur të marrë pjesë në një stërvitje ushtarake së bashku me Presidentin Bujar Nishani. Para se të niste mbledhja, ministrat dhe bashkëpunëtorët që Rama ka përzgjedhur deri më tani në kabinet, kanë konsumuar së bashku dhe nga një kafe në lokalin e hotelit. Për koincidencë, Partia Socialiste kishte rezervuar për Ramën dhomën e hotelit me numër 216, në të cilën, siç mësohet, ka qëndruar gjatë fushatës elektorale edhe kryeministri Sali Berisha. Kjo ndoshta edhe sepse ajo është një nga suitat më të mira të këtij hoteli. Siç raportohet, gjatë mbledhjes kryesocialisti ka kërkuar qetësi të plotë nga drejtuesit e hotelit dhe për rrjedhojë, anëtarët e qeverisë porositë i kanë marrë që në fillim, sepse më pas në sallën e konferencave nuk janë lejuar të hyjnë më as kamerierët. Kjo jo vetëm për të siguruar qetësi gjatë mbledhjes, por ashtu si edhe në Vlorë, edhe për të ruajtur fshehtësinë e diskutimeve që zhvilloheshin në këtë mbledhje.

Axhenda

Në kushtet e një mbledhjeje me dyer të mbyllura dhe konfidencialiteti të plotë të kërkuar nga Rama, vjelja e informacionit nga mbledhja ka qenë e vështirë. Siç mësohet prej burimeve nga kjo mbledhje, në fokus të diskutimeve kanë qenë një sërë çështjesh që kanë të bëjnë kryesisht me marrjen e detyrës së qeverisë së re gjatë muajit shtator dhe prioritetet e secilit dikaster për 100 ditët e para, si dhe programin qeverisës. Siç bëhet e ditur, gjatë mbledhjes së djeshme kanë raportuar një pjesë e ministrave lidhur me prioritetet e kësaj periudhe, masat e ndërmarra prej tyre për ngritjen e stafeve dhe strukturave përkatëse, si dhe përmbushjen e detyrave të marra nga mbledhja e shkuar. Ministrat e propozuar kanë paraqitur prioritetet e dikastereve përkatëse që do të drejtojnë. Pjesa tjetër e ministrave pritet të raportojnë gjatë ditës së sotme. Sa i përket programit, Rama mësohet se ka kërkuar nga ministrat e tij të bashkërendojnë punën për t’i bashkuar prioritetet në një dokument të vetëm, i cili do t’i paraqitet javën e ardhshme Kuvendit për miratim.

Kuvendi i ri, seanca e parë drejtohet nga Dokle

Javën e ardhshme, duke filluar nga e hëna nis edhe konstituimi i hallkave të pushtetit të ri të dalë nga vota e 23 qershorit. Çdo gjë nis me çeljen e legjislaturës së re në datë 9 shtator dhe më pas vijon me procedurat e zgjedhjes së strukturave drejtuese të këtij institucioni e pastaj me zgjedhjen e qeverisë dhe miratimin e programit qeverisës. Sipas Kushtetutës, mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Ligji themeltar i shtetit sanksionon (neni 67), se Presidenti e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Rregullorja parlamentare përcakton se seanca hapëse drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i cili kësaj here rezulton të jetë kryeministri në detyrë, Sali Berisha, i cili ka deklaruar se nuk do ta pranonte ta kryente këtë formalitet. Me shumë gjasa, mbledhjen e seancës së parë do ta drejtojë deputeti i dytë më i vjetër, që është Namik Dokle. Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në seancë nuk zhvillohet asnjë debat. Më pas ndiqet procedura e verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur, që kryhet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Ky komision, pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Në rast se komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, ku zotohen për kryerjen me ndërgjegje të detyrës si përfaqësues të popullit në Kuvend. Më pas punimet e seancës hapëse të legjislaturës së re pasohen me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Konferencës së Kryetarëve, Byrosë së Kuvendit. Pasi të jenë realizuar të gjitha këto procedura, Presidenti fton mazhorancën e re që të paraqesë emrin e mandatuar prej saj për kryeministër dhe ky i fundit i paraqet atij edhe emrat e kabinetit të tij qeveritar. Pas dekretimit prej Presidentit të qeverisë së re, ajo i kalon për votim Kuvendit. Më pas, kryeministri i ri ka detyrimin që të paraqesë sa më parë programin qeverisës për votim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.