Rama në Ballsh: Çfarë i bëri Berisha naftës nuk ia ka bërë as pushtuesi

Postuar në 09 Qershor, 2013 05:42

Duke folur në mitingun e organizuar në Patos, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se pas 23 qershorit, nafta do i kthehet popullit.

“Atë që i ka bërë naftës familja e qeverisë nuk ia ka bërë Shqipërisë asnjë pushtues. Më 23 qershor do votojmë për shpëtimin e pasurive nëntokësore të mos përfitojnë një grup pushtuesish, por populli”.

Rama ironizoi kryeministrin Berisha me deklaratat mbi taksën e sheshtë.

“Taksa e sheshtë është taksa e Zotit, thotë katragjyshi dhe nëse paguani kaq sa paguani, sipas tij, kjo ndodh se e ka vendosur Zoti. Është taksë e drejtë, thotë ai se kush ka dhjetë paguan 10 e kush ka 100 paguan 10. Por ne i themi, nëse me taksën e tij të shtrembër sot që fiton 500 mijë lek, paguan 50 mijë lek do paguajë, nesër do paguajë vetëm 10 mijë lek dhe kursen 40 mijë lekë”.

Më herët në Patos, Rama u angazhua për një konferencë ndërkombëtare për naftën.

“Para pak kohe këtu në Pallatin e Kulturës së Patosit, ne kemi prezantuar programin tonë për naftën dhe unë dua të përsëris një zotim; Qeveria e re do të organizojë brenda vitit, po këtu një Konferencë Ndërkombëtare për të shpëtuar naftën, për të shpëtuar sektorin e naftës nga grabitqarët dhe për t’ia kthyer këtë pasuri të madhe në formë mirëqenie këtij populli, këtu në Patos dhe popullit shqiptar. Ne nuk mund të pranojmë që 455 milionë euro në vit të humbasin nga keqqeverisja dhe nga korrupsioni me pasuritë tona natyrore. Kjo është e papranueshme! Kjo është e padurueshme! Kjo është e dënueshme dhe dënojeni me votë në 23 qershor!

Në 23 qershor secili prej jush të mos shkojë vetëm në kutinë e votimit, po të marri me vete dhe dikë tjetër që nuk ka votuar herën e shkuar. Rreth jush në shkollë, në lagje, në fshat, në qytet, keni dikë pjesëtar të familjes, të shoqërisë, të fisit, të fqinjësisë që është akoma i lëkundur të votojë mos të votojë, merreni nën kujdes, bindeni që vota vlen dhe merreni përdore për ta dyfishuar votën tuaj,” tha Rama./ep

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.