Rama-ministrave: Sillni brenda javës planin për reformat. Vendoset bllokimi i importit të mbetjeve

Qeveria “Rama” zhvilloi mbrëmjen e të mërkurës mbledhjen e radhës, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat.
Në përfundim të mbledhjes, kryeministria ka publikuar vendimet e marra, ku mes të cilave është përcaktimi i fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si dhe Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Kryeministri Rama u ka kërkuar ministrave paraqitjen brenda një jave të planeve për reformën strukturore në çdo ministri. Ndërkohë ashtu siç ishte paralajmëruar, qeveria ka vendosur ndalimin e importit të mbetjeve në Shqipëri. Vendimi është në formën e projektligjit dhe pritet të kalojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë.
Në projektligj thuhet:
“Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Në pikën 3, të nenit 22, fjala “… kufizon …” shfuqizohet.
Neni 2
Në nenin 48, “Ndalimi i importeve dhe kalimeve transit të mbetjeve”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
Pika 1formulohet, si më poshtë vijon:
Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.”.
Pika 3 shfuqizohet.
Neni 3
Neni 49, “Importi i mbetjeve jo të rrezikshme”, shfuqizohet.
Neni 4
Dispozitë kalimtare
1. Subjektet, të cilat, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë pajisur me autorizim për importimin e mbetjeve jo të rrezikshme, janë të detyruara që, për sasinë e mbetjeve që kanë importuar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të përfundojnë procesin e riciklimit, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit.
2. Çdo dispozitë ligjore dhe akt nënligjor, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
3. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e ligjit, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të pikave 1 dhe 2, të këtij neni.
Neni 5
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
SHQIP
Add new comment