Rama, ministrave: Punësimet në dikastere, transparente dhe me konkurse

Takimi në Vlorë
Kryeministri i zgjedhur dha detyrat për 20 anëtarët e kabinetit deri në marrjen zyrtare të pushtetit
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Puna - Rama ka kërkuar nga 19 ministrat e kabinetit dhe po kështu zëvendëskryeministri një angazhim total për sa i përket detyrës së marrë përsipër, duke punuar derisa detyra të ketë nevojë
Fatjona Mejdini
Kryeministri i ri i zgjedhur, Edi Rama, mbylli dje mbledhjen dyditore të ministrave të tij në qytetin e Vlorës, duke theksuar se të majtët kanë në dorë të zbatojnë detyrat mirë, ndërsa pushteti është i popullit. Ndërkaq, për sa u përket detyrave, kreu i ri i qeverisë nuk ka ngurruar t’u japë disa ministrave të tij. Burimet bëjnë të ditur se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, një nga ‘detyrat’ kryesore që Rama u ka dhënë të zgjedhurve të tij për ministra, por edhe atyre të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka qenë një proces transparent dhe i fortë konkurrimi për punësimet në dikasteret që ata drejtojnë, duke garantuar se në pozicionet e punës do të vendosen njerëz me aftësitë dhe përgjegjësitë e duhura. Ndërkaq, Rama ka kërkuar gjithashtu nga ministrat që ditët në vijim, deri në momentin e marrjes zyrtarisht të detyrës, të hartonin planin e tyre për vitin e parë të punës. Por, sipas Ramës, një rishikim i këtij plani do të bëhet edhe gjatë muajit të parë të punës, kur ministrat të njihen me situatën faktike të dikastereve që do të drejtojnë. Ai nuk ka harruar të theksojë se në mënyrë periodike, ministrat do të hartojnë raporte në lidhje me detyrimet e kryera për të cilat janë angazhuar në kuadër të planit 300-ditor të punës. Një temë e rëndësishme, sipas Ramës, ka qenë edhe ajo e bashkëpunimit të ministrave me njëri-tjetrin. Kryeministri i ri i zgjedhur, ka theksuar se komunikimi i vijueshëm dhe lidhja e fortë mes ministrive është një detyrim, për shkak dhe të nevojës së qeverisë së re për të funksionuar si një e vetme dhe jo e ndarë në pjesë të veçanta.
Punësimet
Burimet bëjnë të ditur se kreu i ri i qeverisë, u ka kërkuar 19 ministrave të kabinetit të tij, të zgjedhin në stafet e tyre njerëzit më të përgatitur, të cilët do të mund të seleksionohen vetëm mes konkurseve rigoroze. Rama ka theksuar, sipas burimeve, se ministrat e rinj duhet të mbajnë parasysh seleksionimin e individëve më të spikatur, nisur dhe nga mijëra CV profesionale që janë depozituar në faqen e internetit të hapur posaçërisht për këtë çështje. Kryeministri i ri i zgjedhur ka theksuar se miqësitë nuk duhet të jenë bazë për punësimet, por akumulimi i sa më shumë profesionistëve të spikatur, për shkak të nevojës së vendit për reforma të rëndësishme dhe tepër intensive në këtë fazë.
Bashkëpunimi
Një rëndësi të veçantë, burimet bëjnë të ditur, se Rama i vendosi dhe çështjes së bashkëpunimit mes ministrive. Ai theksoi se bashkëpunimi nuk mund të jetë fakultativ dhe vetëm mbi bazën e projekteve, por duhet të jetë i vazhdueshëm dhe intensiv në një kohë kur edhe integrimi i vendit në Bashkimin Europian e kërkon këtë. Sipas burimeve, Rama ka theksuar në kabinetin e tij, se ministrat do të jenë me të njëjtat të drejta dhe po kështu me të njëjtat përgjegjësi.
Reagimi
Berisha: Mbledhja e Ramës antikushtetuese, nëpërkëmbi Parlamentin dhe Presidentin
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, nuk ka ngurruar ta komentojë dhe dje mbledhjen e qeverisë që pret të marrë detyrën në Vlorë. Në një postim në rrjetin social, ai e ka quajtur këtë mbledhje antikushtetuese, pasi qeveria e re nuk është votëbesuar ende nga institucionet përgjegjëse në vend. “Të dashur miq, dje dhe sot z.Rama me mediat e tij, me zhurmë të madhe njoftoi se zhvilloi një mbledhje dyditore të ‘qeverisë’ së tij në Vlorë. Me këtë akt dhunohen nenet e Kushtetutës që përcaktojnë qartë se kur krijohet dhe fillon punë kabineti qeveritar i vendit. Me këtë akt nëpërkëmbet publikisht Parlamenti dhe Presidenti i vendit, të cilët me Kushtetutë ngarkohen për emërimin, votëbesimin dhe betimin e qeverisë së vendit pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe në çdo rast tjetër. Piktori rezultatin e zgjedhjeve me 63 deputetë e ka lexuar si një licencë për revansh të papërmbajtur antishtet”, deklaroi Berisha. Sipas tij, qeveria që ai drejton po bën përpjekje serioze për sa i përket tranzicionit stabël të pushtetit dhe po kështu ruajtjes së vijimësisë së institucioneve dhe Rama me këto akte po gabon rëndë.
SHQIP
Add new comment